(2LONLINE) – Është ndezur flakadani para Teatrit të Qytetit në Gjilan që simbolizon sakrificën e dëshmorëve të kombit, Rexhep Mala e Nuhi Berisha.
Ndezjen e simbolike të flakadanit e bënë familjarët e dy dëshmorëve së bashku me kryetarin e Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.
Në këtë ngjarje morën pjesë zyrtarë komunal të Gjilanit, përfaqësues të jetës politike e kulturore si dhe veprimtarë të çështjes kombëtare.
Kryetari Lutfi Haziri e ka vlerësuar lart veprën e dy dëshmorëve të kombit Rexhep Mala e Nuhi Berisha, ndërsa ka theksuar se “Flaka e Janarit” është sinonim i respektit dhe i nderit për familjet e dëshmorëve dhe për veprat e mëdha të dëshmorëve.
“Duke qenë kryetar i ri i zgjedhur vetëm para disa javësh, jam i nderuar dhe shumë i lumtur që po kthehem në Komunë dhe në “Flakën e Janarit”. “Flaka e Janarit” është sinonim i respektit dhe i nderit për familjet e dëshmorëve dhe për veprat e mëdha të dëshmorëve. Ky vit i përkushtohet veprave të tyre, si çdo vit por në ballë të tyre janë dy dëshmorë të mëdhenj që 30 vjet më parë bënë veprën e madhe dhe bënë thirrjen e madhe, sepse thirrja e madhe pas rënies së tyre ishte se lufta duhet të vazhdoj dhe se përpjekjet duhet të vazhdojnë dhe ecjet tona nuk duhet të ndalen deri në realizimin e plotë”, tha Haziri.
Manifestimi “Flaka e Janarit 2014” organizohet nën patronatin e kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri.
Gjatë ditës së sotme, ky manifestim me karakter mbarëkombëtarë, ka nisur me homazhe te varrezat e dëshmorëve dhe lapidarëve si dhe me pritje për familjet e dëshmorëve në sallën e Kuvendit Komunal.
Manifestimi tradicional “Flaka e Janarit 2014” do të vazhdoj nesër me Akademinë e Flakës e cila mbahet në ora 13:00./2lonline/