Me rastin e Ditës së Përkujtimit të Gjenocidit në Kosovë, Qendra „Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur“ fton të gjithë shqiptarët që më 15 janar 2023 duke filluar nga ora 19:30 të bëjnë ndezjen e qirinjve në shenjë respekti e përkujtimi për viktimat e gjenocidit në Kosovë.
Në sheshin „Skënderbeu“ në Prishtinë, aktivistët e Qendrës do të bëjnë ndezjen e qirinjve. Ftohen qytetarët e Prishtinës që të bashkëngjiten në këtë aktivitet.
Qytetarët e qyteteve tjera, me vetiniciativë mund ta bëjnë ndezjen e qirinjve në sheshet kryesore të qyteteve dhe të fshatrave të tyre.
Organizimi me vetiniciativë edhe i qytetarëve në qytetet jashtë Kosovës është i mirëseardhur, andaj ftojmë të gjithë shqiptarët kudo që janë të bëjnë nderimin e viktimave të gjenocidit pikërisht më 15 janar 2023 nga ora 19:30.
Ata që nuk kanë mundësi të dalin në shesh, këtë ta bëjnë në ballkonet apo dritaret e tyre.
Po ashtu, ftojmë të gjithë shqiptarët anekënd botës që në ora 19:30, sipas kohës së tyre lokale, ta bëjnë ndezjen e qirinjve në ballkone e dritare në nderim të viktimave të gjenocidit në Kosovë.
Ftojmë gjithashtu organizatat joqeveritare, veçanërisht ato që në fokus të aktivitetit të tyre e kanë çështjen e viktimave të luftës që të bashkangjiten në këtë aktivitet përkujtimi.
Përkujtimi i viktimave të Gjenocidit në Kosovë është më e pakta që ne duhet të bëjmë në rrugëtimin për ngadhënjimin e drejtësisë dhe ndëshkimin e krimit!
Me respekt për të gjitha viktimat e gjenocidit në Kosovë dhe për familjarët e tyre.
Qendra „Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”