Nga: Shefqet DIBRANI
NDIJIME TË KËNDSHME ME FIGURACION PËRJETUES
( Jonida Sheholli, “MALLI FSHIHET NËN QEPALLË”, poezi, botoi Shtëpia Botuese “BEQIR MUSLIU”, Gjilan 2020, faqe 122, ISBN 978-9951-760-37-9 )
Vëllimi poetik “MALLI FSHIHET NËN QEPALLË”, është një metaforë lirike ndër më të bukurat që haset në titullin e një libri. Ky varg pasqyron emocionin dhe çiltërsinë rinore, entuziazmin e paparë, dashurinë e paepur, për tu futur në labirintet e fantazisë krijuese, në të fshehtat e vlerës artistike, për të depërtuar pastaj në mendim të thelluar poetik e filozofik.
VATRA E LASHTË
Rrëzë një mali të rrallë
Me lisa shekullor
Seç mbushem me mall
Në truallin atëror.
Pran gjelbërimi
Në një kodrinë
Një stërgjyshi im
E kishte shtëpinë.
Kjo vatër e lashtë,
Ndezur përherë
S’linte njeri jashtë,
Dimër as verë.
Poezia në fjalë hap siparin e lirikave të tjera, por të gjithë ata që mund ta njohin fshatin e lindjes së stërgjyshit të saj, poezia sjell tabllo të sakta të atij fshatit malor me shpatije e kodra të rrëpinat, me livadhe të mbuluar me barë, dhe sigurisht mali është me lisa shekullor. Epitete të ngjashme, hasim kudo brenda librit, qoftë në nuancë ose si metaforë, dhe kur këto përpjekje i bënë një vajzë në moshë shumë të re, me besim mahnitës në veten e saj, s’ke se si të mos iu gëzohesh këtyre lirikave. Këtë mendim e plotësojnë vargjet e thëna në poezinë e fundit: “Vargu im flatron,/ Nëpër qiell ngjitet,/ Me pegasin kalëron,/ Shpirti kur shqitet“, ndërsa libri mbyllet me vargjet: “Vargu im flatron,/ Për qiell si një zog,/ Poezisë i dhuron,/ Përherë një epilog“, (poezia VARGZOGU IM, faqe 117.)
Duke e parë poezinë e parë si prolog i librit, të cilën e cituam më lartë, dhe duke krahasuar me këto vargje që përjetohen si epilog i tërësisë tematike, e tërë poezia në brendësinë e saj ka përjetim e ndjenjë ideoemocinale, me shprehje të kujdesshme, me motive dhe tematikë të ndryshme dhe me kulturën e shkrimit mirë të realizuar, sakaq krijohet përshtypja se: “N’pentagramin e hijes/ Notat nanurisen,/ Në ngjyrat e shijes/ Qiellit tek ngjitën“, (poezia SIMFONI STINE, faqe 40.)
Vëllimi poetik, “MALLI FSHIHET NËN QEPALLË”, është i ndarë në gjashtë cikle tematike: “Dritësim shprese”; “Në partitura zemre”; “Nëpër gjurmët e vetes”; “Një det malli e dashurie”; “Ndjenja flakëruese”, dhe cikli i gjashtë, “Përdit(sh)mëri”. Nëpër këto gjashtë cikle, tematika e motiveve i prek sferat e jetës, familjës, shoqërisë, rrethit, pastaj në formimin e personalitetit poetik kanë ndikuar edhe përjetimet e ditës, (lexo poezinë “DJALOSHI ME FLOKËT E GJATA”, faqe 30), që pa dyshim është reflektim i një ngjarje të ndodhur në trotuar, sikurse edhe ngjarjet e mëdha historike janë me ndikim të pashmangëshëm: Atdheu, Skënderbeu, Nëna jonë e shenjtë, Prushëron liria, Nëntorët krenarë etj., por janë edhe poezitë për natyrën dhe zhvillimet tjera: Pranvera, Ylberi, Toka, Lulja, janë vetëm disa tituj poezish, sikurse ka ndikuar edhe zhvillimi i teknologjisë, (lexo poezinë LAPSI I THYER, faqe 31), bashkë me poezi të tjera plotësojnë mozaiku tematik të këtyre vjershave, disa mirë të realizuara, e të tjerat mbresëlënëse.
Poetesha, Jonida Sheholli, shkruan varg të rregullt, kurse poezitë përbëhen nga strofa kryesisht katër vargjesh. Po ashtu ka bërë përpjekje maksimale për t’i respektuar rregullat gjuhësore, rimën e ritmikën, të cilat janë përpjekje pozitive, gjë që në masë të madhe ky përkushtim është i realizuar.
Më kujtohen lojërat
Në rrugicën e vjetër
M’i sjellin kohërat
Në diemnsion tjetër.
…
N’rrugicën e vjetër
Më ngeli fëmijëria
Guralecët janë shtretër
Për ëndrrat e mia.
Poezia RRUGICË E VJETËR, faqe 17.
Në anën tjetër, parë nga aspekti i ndijimit, poezitë janë pasqyrim i vetëdijes së njeriut, ku është bërë përshkrim i tërësishëm i dukurive të botës, thënë figurativisht, metaforat “rrijnë varur nën qepallën“, e syrit të saj vrojtues. E nëse i kundrojmë si ndijime figurative, mundemi me ndarë në katër kategori: Ndijimi i pamjes, dëgjimit, shijes dhe i prekjes.
MONOLOG
Unë nuk flas dot pa heshtjen
Por heshtja ime flet me veten,
Vë veshin ta dëgjoj në heshtje
Heshtja pa zë nxit kureshtjen.
Faqe 88.
Ndijimet janë përjetime, që pasqyrojnë aspekte të brendshme shpirtërore dhe emocinale: Malli i fshehur, qoftë si dhembje, e qoftë si mallëngjim për të jatin e mërguar. “Të kam pritur ndër vite e mote/ Me ngjyra shpirti, që gjenden në mua// Rrugët e kurbetit të rrëmbyen edhe Ty/…/ Më mungon përditë, por të kam në sy”, sepse “Ëndrrat më të bukura me Ty i gjeta”, prandaj i jep mesazh inkurajues të të jatit: “Diell e yll mëngjesi për ne do të jesh/ Trashëgimtarët tu të denjë, ne do jemi…!”, (poezia DIELLI QË SHKËLQEN NGA LARG, Babit tim, faqe 68).
Po aq të përjetuara janë edhe disa vargje të tjera, që po i shkëpus nga një poezi tjetër: “Me dashuri t’paskajshme, babi ty të dua,/ Në çdo kohë e çast për ty unë mendoj”, (poezia MËRGIMTARIT TIM, faqe 36.) Pa dyshim, kjo ndjenjë e fuqishme ka prodhuar vargje kaq emocionale, të përjetuara si ndjenjë e fisme, e cila manifestohet mjaftë mirë te poezia kushtuar nënës: “Në dashurinë e saj njerëzimi ngrohet përherë/ Se rrjedh nga shpirti, n’buzëqeshje e përqafime// Nëna është ujëvarë në përcëllimin e zhuritjes/ Qetësi e përjetshme, që s’e zevëndson kush”, (poeza BARDHËSI E QIELLIT TË PËRNDRITUR, Nënës, faqe 69.)
Poezia si ndijim artistik, kam përshtypjen e ka ndikimin e vet, pasi rrethanat jetësore janë faktorë që ndikojnë edhe në vetëdijen dhe vetëdijsimin e njeriut, prandaj nëpër vargje përjetohen emocione miklimi e pikëllimi, ku shprehet mospajtim me dukuri e vese të caktuara: “Në pritje rri bota,/ E koha veç ngarend,/ Kthen çastet në të kota/ E kund nuk zë vend”, (poezia PRITJE E GJATË, faqe 93). Por, si tërsi tematike poezia e Jonida Shehollit, ka çiltërsi, sinqeritet dhe ka objektivitet në trajtimin e dukurive.
Në aspektin idiomatikë, poezitë me ndërtim të veçantë dhe me kuptim të figurshëm, kryesisht te poezitë me dedikim. Madje edhe aty ku nuk duket aq e drejtpërdrejt, bota njerëzore mbetet preokupimi thelbësor i kësaj poezie dhe i vet poeteshës. Pra, janë këto disa elemente mikluese të cilat duken nëpër vargje që nxjerrin në pah botën e saj emocinale, fëmijërore, dashurore, e afërt me familjen dhe farefisin, po aq e kujdesshme me shoqërinë, tejet e vendosur në qëllimet e saj, andaj shpesh bëhet fluturë krahëlehtë e herë të tjera cicërinë si zog de¨gë më degë.
Në moshë kaq të re, ajo realizon libër të sinqert. Sa thjeshtë po aq natyrshëm e ka paraqitur botën e saj të brendshme, krejt në mënyrën origjinale. Andaj, çdo libër i ardhshëm i saj, nuk do ta ketë peshën emocionale të këtij libri. Sigurisht në librat vijues: figuracionet e metaforat do të përshtaten me artin dhe estetikën, me shprehjen metaforike më të realizuar, mendimin poetik më të përparuar, por si ky libër nuk do të vij më asnjë tjetër. Pra, vetëm libri i parë shpreh ndjenjën e sinqert dhe në mënyrë reale. Ky konstatim, s’ka pse të bëhet brengë për autoren, pasi të gjithë krijuesve iu ndodhin përjetime të tilla emocionale.
LOTËT E LIBRIT
Rri lartë i heshtur i pashfletuar,
Thesarin që ka e mban të mbyllur,
S’e qas njeri për ta konsultuar,
Të mënjanuar e lënë të ndrydhur.
Lotët i rrjedhin e qan në heshtje
Diku në një qoshe ngelur i vetmuar,
Mendjet e ngushta e hedhin si mbetje
Kjo injorancë krejt e ka
Faqe 115.
Poezia në vete është edhe drithërimë, andaj ngjanë me drithërimat e zogut në dimër të acart, por janë edhe drithërimat e poetes që manifestohen për shkakun e përgjegjësisë dhe detyrimit ndaj jetës. Tashmë ajo ka shkelur shkallët e universitetit dhe nuk duhet të frikësohet. Sigurisht aty do të mëson dhe do të përvetëson më mirë, më saktë dhe profesionalisht mënyrën e shkrimit letrar, rregullat e rimës e të metrikës, do të mëson figurat e shprehjet letrare, do të përpunon aspektet stilistike, do të avancon mendimin figurativ, ku një vister sish gjenden edhe në këtë vëllim poetik, por kam arsye të insistojë në atë që e thash më lartë, se asnjë libër tjetër i saj nuk do ta ketë sinqeritetin e “mallit të fshehur nën qepallë!!!”.
Këto ndjenja përkushtimi, s’kanë pasur si të ndodhin ndryshe, kur ka shkruar poezi për vendlindjen e për “trumgut e vet familjar”, për mësuesen dhe për tërë shoqërinë, të cilët i ka trajtuar virtytshëm dhe me dashuri: Gjyshit Sheqir Sheholli, Gjyshes së babait, Gjyshes time, Babit tim, Nënës, Motrës, Vëllait, Mësuesit Faik Sheholli, Doktor Bashkim Sheholli, Mësueses, Mërgimtarëve dhe bashkë me poezitë Oborri i fëmijërisë sime, Lugu i Pirevës (dajat), Lumi i vendlindjes, (fshati Herticë i gjyshërve), e ndonjë temë a motiv tjetër, kompletojnë mozaikun e këtyre poezive!
Shpalosja e kësaj bote poetike, në moshë të re, (sa ishte nxënëse në vitin e dytë gjimnaz), e bëjnë emrin e Jonidës, të dashur dhe të adhuruar. Poezia është shpirti i saj, por atë shpirt ne nuk e shohim, lexuesi përmes poezisë thellohet në brendësinë e atij shpirti dhe të atyre ndjenjeve. Ky reflektim pozitiv dhe sinqeriteti i saj shprehet përmes metaforës dhe vargut të padjallëzuar, e përputhshme me moshën që ka.
Nga poezia në poezi, futemi në një botë tjetër, me motive përjetuese të shumta e të ndryshme. Niveli është premtues, dhe ajo i ka plotësuar tre parametra të domosdoshëm: 1. Ajo ka frymëzim, 2. Ajo ka talent, dhe 3. Ajo ka përkushtim të bollëshëm. Dihet se shkrimi letrar dhe poezia janë përvojë e cila me kalimin e kohës arrihen. Gjithashtu edhe aspektet të tjera gjuhësore do të përvetësohen, për tu kompletuar sa e si duhet. Këtë potencial të saj e shohim në librin, “MALLI FSHIHET NËN QEPALLË”, me sinqeritet e dëlirësi të pastër, dhe me shprehje lirike si faktor i mjaftueshëm për të besuar në formimin e saj të vitytshëm.
LETRA E DASHURISË
Letrën time të dashurisë
Me ngjyra lulesh e qëndisa,
I dhashë shijen e qershisë
Me pëllumbin e bardhë e nisa.
Me fjalë zemre e shkrova,
Atë ndjenjë të qenies sime,
Në krahë fluture e dërgova,
Puhizë dhuratë për freskime.
Lot i ngazëllimit pikoi,
Në letrën e dashurisë,
Tërë shpirtin e përshkoi
Deri në skajet e thellësisë.
Faqe 42.
Kjo lirikë e bukur, nuk është e vetme, por as i trajtuar mjaftueshëm si motiv, shpjegon se poetesha më shumë iu ka përkushtuar fenomeneve globale dhe të universit. Sigurisht edhe ngjarjet dhe zhvillimet nacionale e kanë zhvendosur atë motiv për ma vonë, për në moshën e pjekurisë. Derisa poezia është rrjedhë, ajo duhet të vazhdojë me shkruar, nëse vërtetë ka ambicie për tu bërë emër i pranuar në letrat shqipe!… /2LONLINE/