Caritasi zviceran në bashkëfinancim me Drejtorinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, kanë ndarë sot bimë mjekuese aromatike dhe fidane dredhëze për fermerët e komunës së Vitisë.
Përfitues të këtij donacioni ishin shtatë fermerë, të cilët kanë përfituar mbjelljen e këtyre bimëve në sipërfaqe prej 10 ari.
Në ceremoninë e ndarjes, zv. kryetari i komunës së Vitisë Hasan Aliu tha se Institucionet komunale në vazhdimësi kanë qenë të përkushtuara që të ndihmojnë sektorin e bujqësisë në forma të ndryshme, në bashkëpunim me organizatat e ndryshme.
Ai me këtë rast ka falënderuar edhe Caritasin zviceran për gjithë bashkëpunimin që kanë pasur me komunën e Vitisë, ndërkaq ka premtuar se do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, të përkrahin këtë sektor shumë të rëndësishëm, me donacione për bujqit dhe fermerët vitias.
Ndërkaq Arton Elezi, ushtrues i detyrës së drejtorit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, bëri të ditur se janë 3 përfitues të bimëve mjekuese aromatike dhe 4 të fidanëve të dredhëzës.
“Ky donacion është si pako e grantit në të cilën përfshihen edhe sistemi I ujitjes pikë pikë, rezervuar të ujit, foli e zezë, spërkatëse shpine, plehra minerale dhe organike, si dhe material mbrojtës kundër sëmundjeve të ndryshme dhe dëmtuesve”, ka thënë Elezi.