Komuna e Gjilanit ka bërë sot shpërndarjen e folisë plastike për serra familjare dhe përfitues në këtë projekt janë 261 familje me një vlerë totale prej rreth 12 mijë euro.
Në këtë aktivitet i pranishëm ishte edhe nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, i cili ka theksuar se projektet në bujqësi janë një mbështetje direkte e fermerëve e veçanërisht projektet e vogla sikur ky i sotmi.
“Drejtoria e Bujqësisë vazhdimisht është në krye të detyrës dhe gjithmonë përmbushë planifikimin që e bën. Projekte të tilla do të ketë në vazhdimësi dhe mbështetja do të jetë e ndarë në faza të ndryshme, varësisht nga kulturat bujqësore dhe aktivitetet. Fermerët janë djersa e zhvillimit të vendit tonë, sepse pa ta sofra në familjet tona do të ishte e mangët në aspektin e prodhimeve vendore”, ka thënë mes tjerash Ismajli.
Nga ana e tij drejtori i Bujqësisë, Ramiz Ramadani, ka potencuar detajet e këtij projekti dhe njëkohësisht ka njoftuar se të gjithë fermerët që kanë plotësuar kushtet janë përzgjedhur në këtë projekt.
“Kemi 261 përfitues të këtij projekti me foli prastike. Kjo ndihmon fermerët e vegjël që të sigurojnë prodhime për familjet e tyre. Është me shumë rëndësi që mbështetja do të jetë e vazhdueshme gjatë 12 muajve të vitit. Pas mbjelljeve pranverore dhe investimeve në projekte të ndryshme ne kemi këtë projekt të vogël dhe gjatë muajve në vijim Drejtoria ka planifikuar edhe projekte të tjera që kanë qëllim zhvillimin e bujqësisë. Të sigurojmë kushte optimale dhe të krijojmë mundësi për punë, janë angazhimet tona kryesore karshi zhvillimit të bujkut dhe bujqësisë”, ka thënë mes tjerash drejtori Ramadani. /2LONLINE.com/