Ndonëse punojnë në të njëjtin mjedis dhe i nënshtrohen të njëjtit rrezik, punëtorët jo-shëndetësorë (të administratës dhe shërbimit teknik), në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), në Gjilan dhe qendrat tjera (QMF), thonë se nuk po trajtohen njëjtë dhe ndihen jo të barabartë e të diskriminuar pasi nuk janë përfshirë në listën e pagesave shtesë (kategorinë e stimulimit), e paraparë me Pakon Emergjente të Qeverisë për shkak të situatës pandemike me COVID-19.
Sabri Ibrahimi, përfaqësues sindikal për administratë, i ka thënë Portalit 2LONLINE.com, se kjo ndarje përkatësisht ky trajtim i pabarabartë është i papranueshëm dhe se nëse nuk ndërmerren masat të përfshihen edhe këto kategori atëherë do të reagojnë me moskryerje të punëve, pra me bojkot.
“Ne si punëtorë jo-shëndetësorë, mirëpo në një institucion shëndetësor, punojmë së bashku, andaj unë si përgjegjës sindikal për administratë dhe punëtorë ndihmës, kërkoj që të bëhet pagesë shtesë për të gjithë punëtorët e QKMF-së dhe qendrat tjera që ne i përfaqësojmë, ku ne si kod buxhetor jemi një”, thotë Ibrahimi, transmeton 2LONLINE.com.
Ai shton se nuk ka asnjë arsye të ketë ndarje të padrejta në mes punëtorëve dhe se kështu rrezikohet mbarëvajtja e punëve në këto institucione shëndetësore.
“Përndryshe, ne jemi të detyruar t’i ndërpresim të gjitha pagesat, furnizimet dhe të gjitha shërbimet teknike për QKMF-në Gjilan. Shpresoj të mirëkuptohemi për kërkesën dhe shqetësimin tonë, pasi e ndjejmë vetëm jo të barabartë ndaj kësaj padrejtësie. Uroj për mirëkuptim”, thotë Sabri Ibrahimi, përfaqësues sindikal për administratë. /2LONLNE.com/