Këtë vit (2020), për shkak të pandemisë, vera sikur u duk e shkurtër për sportin e futbollit dhe sporteve në përgjithësi në Kosovë. Të gjitha ekipet e të gjitha ligave patën pengesa edhe në stërvitje edhe në gara, brënda e jashtë Kosovës.
Kufizimet në ushtrime e gara i pati edhe KF “Bashkimi 1941”, ekip i Ligës së Tretë të Kosovës nga Gjilani, edhe pse trajneri dhe futbollistët e ekipit kishin elanin vullnetin e dëshirën të bëjnë të pamundërën që ekipi i tyre, në kushtet që afroheshin, të jetë i konsoliduar, të përgatitur për çdo garë e për çdo moment.
Megjithatë, në shtator, filluan garat në ligën e tretë të futbollit të Kosovës e në kuadër të kësaj edhe ekipi i ligës së tretë KF ”Bashkimi 1941” nga Gjilani, më 26. 09. 2020 ( e diel), nga ora 16:00, zhvilloi ndeshjen e parë të sezonit në kryeqytetin e Republikës së Kosovës me ekipin prishtinas “Kosova(P)”.
Siç e dimë, si i gjithë sporti në Kosovë që përballet me vështirësi financiare edhe ekipi KF ”Bashkimi 1941” nuk ka kushte të mira për aktivitetin e dëshirueshëm sportiv, por puna, dëshira e vullneti i madh i kryetrajnerit Ramadan Ahmeti dhe i gjithë futbollistëve të ekipit po ia dalin që të jenë të suksesshëm në këtë ligë, me synim që në të ardhmen të ngjiten në ligat tjera të Kosovës. Kryetrajneri Ramadan Ahmeti, një ish fudbollist i suksesshëm dhe me një karrier të gjatë në futbollin e Gjilanit po arrin me sukses ta udhëheq këtë ekip. Pra, përkundër vështirësive financiare që ka ky klub, nuk po ndalet asnjëherë në kërkim të gjetjes së rrugëve të suksesit.
Siç thamë më lartë, këtë të diele (26.09.2020) ekipi zhvilloi ndeshje për pikë në Prishtinë në praninë e një numri shumë të vogël tifozësh. Ekipi u prit mirë nga prishtinasit dhe ndeshja u zhvillua në nivel të duhur sportiv, përkundër disa gabimeve që janë bërë në referim, siç konsideron kreytrajneri dhe ekipi në përgjithësi.
Ndeshja ishte e shpejtë, me shumë raste dhe e dëshirueshme për të pranishmit. Vendasit në fillim dominuan ku edhe shumë shpejtë arritën të kalojnë në epërsi me një gol, të cilin stafi i ekipit “Bashkimi 1941” e vlerësuan se ishte i dyshimtë, pasi mendonin se ishte pozitë jashtë loje, mirëpo sipas arbitrit gjithçka ishte në rregull. Në vazhdimin e ndeshjes mysafirët, morën iniciativen duke zhvilluar loje mjaft të mirë duke pasur disa raste të mira, por nuk arritën të shënojnë.
Në pjesën e dytë trajneri me pervojë z. Ramadan Ahmeti bëri një zëvendësim njëherit edhe ndërroi formacionin në 4-3-3. Ky ndërrim taktik rezultoi i sukseshem pasi menjëherë në pjesën e dytë “Bashkimi 1941” barazon pas një aksioni që mësohet në shkollat e futbollit. Pas golit të barazimit vazhdoi loja e shpejtë dhe të dyja palët patën raste të qind për qindta. Vendasit arritën të realizojnë edhe njëherë, por edhe ky rast ishte i dyshimtë për pozitë jashtë loje. Për shkak të mungesës së VAR-it, për të rishikuar rastin, arbitri vendosi të pranojë golin. Duhet thënë se paraprakisht Bashkimit nuk iu akordua një faul në rastin e golit.
“Kosova” e Prishtinës bëri 5 zëvëndësime për të freskuar skuadrën, ndërkaq Bashkimi dy zëvëndesime, që sipas trajnerit ishin të mjaftueshme. Deri në fund të ndeshjes u realizuan edhe disa raste por rezultati nuk ndryshoi.
Kështu ndeshja perfundoi 2-1 për Kosovën e Prishtinës, duke fituar tri pikë dhe duke u radhitur në krye të tabelës.
Lojtarët e “KF Bashkimi 1941” dhanë maksimumin nga vetja e tyre, por kësaj here fati nuk ishte në anën e tyre. Pasi është fillimi i kampionatit, ekipi “Bashkimi 1941” nuk do dorëzohet asnjëherë dhe do të bëjë gjithçka që është e mundshme në arritjen e synimit që të bëhet pjesë e superligës së Kosovës. /2LONLINE.com/
Genc Tafili, anëtar i ekipit “Bashkimi 1941”