Sporti shqiptar ka humbur sot legjendën e mundjes, Mentaz Allajbegu, i cili ka ndërruar jetë gjatë ditës së sotme.
Mentaz Allajbegu, kishte lindur me 9 gusht të vitit 1946 në Dibër. 15 vite më vonë, me familjen është shpërngulur në Shkup, aty ku jetoj deri në momentin e tij të fundit, me përjashtim të angazhimeve të kohëpaskohshme në Prishtinë dhe jashtë vendit. Hapat e parë në mundje në kryeqendrën tonë, ku më pas do të arrij suksese kulmore, i bëri në vitin 1964 në klubin e Partizanit.
Vitin 1968, pasi ka përfunduar shërbimin ushtarak, është punësuar si arsimtar në Shkollën Fillore Liria në Shkup dhe në ndërkohë, aktivizohet si trajner në klubin e mundjes Skopje. Pas një aventure të shkurtër në Bruksel të Belgjikës, Mentazi është kthyer sërish në Shkup dhe te skuadra e Skopjes dhe pas rezultateve të mëdha që i arriti me mundësit shqiptar të kësaj skuadre, vitin 1977, kishte vendosur që të themeloj klubin më të suksesshëm shqiptar në të gjitha trojet, klubin e mundjes Liria.
Më pas, themeloi edhe një kolektiv tjetër të njohur shqiptar të mundjes, klubin e Prishtinës. Ndryshe Mentaz Allajbegu, njihet si trajner I kampionit olimpik dhe sportistit të shekullit Shaban Tërstenës, më pas, fituesit të medaljes olimpike, Shaban Sejdiu, por edhe të mundësve si Abdulla Memeti, Bajram Qorolli, Shaip Bajrami, Abaz Emini, Adnan Elezi, Agim Ejupi, Lulzim Vrenezi e shumë e shumë të tjerë. Ditët e fundit të jetës së tij, arsimtari Mentaz Allajbegu i kaloi në Shkup, ku edhe ndërroi jetë gjatë ditës së sotme. Vorrimi i të ndjerit, do të bëhet gjatë ditës së nesërme, në varrezat e Nerezit në Shkup.