Mbledhja e shtatë e rregullt e Komitetit për Politikë dhe Financa, në Viti, është ndërprerë sot në mungesë të kuorumit pasi që përfaqësuesit e subjekteve politike të PDK-së, VV-së dhe AAK-së lëshuan takimin.
Përfaqësuesit e partive opozitare në këtë takim e arsyetuan këtë veprim në shenjë pakënaqësie pasi që Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Vitisë, Naim Pira shfrytëzoj të drejtën e tij ligjore për votë të dyfishtë.
Megjithatë në fillim të këtij takimi përfaqësuesit e subjekteve politike opozitare kanë shprehur gjithashtu pakënaqësitë e tyre lidhur me çështjen e buxhetit. Ndërkaq kryesuesi Pira, pos që i ka njoftuar ata lidhur me ligjshmërinë e akteve të nxjerrë nga mbledhja e fundit e Kuvendit Komunal të Vitisë, potencoi se ai ka pranuar një shkresë nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal të Republikës së Kosovës, në të cilën jepen sqarime mbi rolin e Komitetit për Politik dhe Financa.
Sipas kryesuesit Pira kjo shkesë sqaron se KPF-ja është organ këshillues ndërsa vendimet merren në Kuvendin Komunal të Vitisë.
Përndryshe gjatë këtij takimi kanë qenë të parapara të shqyrtohen këto pika:
1. Shqyrtimi dhe miratimi i procesverbalit nga mbledhja e gjashtë e KPF-së.
2. Propozim për shqyrtimin dhe miratimin e propozim vendimi për projekt buxhetin e Komunës së Vitisë 2020-2022.
3. Propozim për shqyrtimin dhe miratimin e propozim rregullore për taksa, ngarkesa dhe gjoba për vitin 2020.
4. Propozim për shqyrtimin dhe miratimin e propozim rregullore për tatimin në pronën e paluajtshme për vitin 2020.
5. Propozim për shqyrtimin dhe miratimin e propozim vendimit për planin e punës se Kuvendit Komunal të Vitisë për vitin 2020.