Me një ceremoni shtetërore, në sheshin “Nënë Tereza” të kryeqytetit, u përkujtuan ushtarët e NATO-s dhe KFOR-it të rënë në Kosovë.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti vendosën kurorë lulesh te Pllaka Përkujtimore në nderim të ushtarëve të rënë të NATO-s, me rastin e shënimit të 22- vjetorit të çlirimit të Kosovës.
Kryeministri Kurti në fjalën e tij tha se në qershorin e vitit 1999 kishim zjarr në qiell dhe zjarr në tokë, por më 12 qershor, këmbësoria e NATO-s iu bashkua ndërhyrjes nga ajri kundër Jugosllavisë së Millosheviqit për ta ndaluar gjenocidin mbi popullin shqiptar.
“Më 12 qershor ne kremtojmë paqen, çlirimin dhe lirinë dhe këtë ia përkujtojmë vetes për çdo ditë, sepse të gjithë ato gra e burra të cilët u sakrifikuan, dhanë jetën, ndodhen në themelet e institucioneve tona, të shtetit tonë, të pavarësisë sonë, të cilën duam ta shpiejmë më tej, me zhvillim, drejtësi dhe demokraci”, tha ai.
Në ceremoninë e organizuar nga tri institucionet më të larta të shtetit, të pranishëm ishin edhe Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe zëvendës komandanti i KFOR-it, Günter Schöpf. /2LONLINE.com/