Zgjidhja e kontesteve të punës në Kosovë kryesisht bëhet përmes gjykatës, derisa gjyqtarët civil janë të mbingarkuar me raste të ndryshme, të cilat nuk janë të profilizuara domosdoshmërisht vetëm në konteste të punës, duke shkaktuar kështu vonesa në zgjidhjen e rasteve përkatëse.
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizoi një forum virtual për të diskutuar temën e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve në vend të punës, ku pjesë e panelit të diskutimit ishin përfaqësues nga sektori privat, Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Gjykata Supreme.
Gjatë këtij forumi, drejtori i departamentit ligjor në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Astrit Hoti, foli mbi legjislacionin rregullues për çështjet e punës, derisa tha se kontestet e kësaj natyre zakonisht janë të ndërlikuara dhe varen nga rasti në rast. Duke iu referuar statistikave të zgjidhjes së rasteve të marrëdhënieve të punës brenda një viti në gjykatat e Kosovës, Hoti tha se numri më i madh i lëndëve të pazgjidhura sa i përket këtyre kontesteve ka të bëjë me çështjet e kompensimit të dëmit.
“Gjithsej janë 6580 lëndë, ndërsa të pazgjidhura kanë mbetur edhe 4068 lëndë. Ndoshta ka ndikuar edhe pandemia, por sido që të jetë, numri më i madh i lëndëve është në aspektin e kompensimit të dëmit” tha Hoti.
Më tutje, duke folur për përdorimin e metodave alternative të zgjidhjes së kontesteve të punëve, Hoti theksoi se zhvillimi i procedurës së ndërmjetësimit do të ishte shumë atraktiv, sepse do të shkurtonte kohën e zgjidhjes së kontesteve krahasuar me gjykatën.
Gjyqtari në Gjykatën Supreme, Shukri Sylejmani, theksoi se kontestet e punës llogariten si kontestet më të ndërlikuara në strukturën e kontesteve gjyqësore nga lëmia civile juridike. Ai foli mbi zhvillimin e legjislacionit të punës përgjatë viteve, ku tha se për një kohë të gjatë i njëjti nuk ka qenë specifik në shumë instanca të rëndësishme, me theks të veçantë tek procedurat disiplinore. Gjyqtari theksoi nevojën për reformë gjyqësore dhe profilizim të gjyqtarëve, meqë sipas tij lëmia civile është shumë e gjerë.
Moderatori i kësaj ngjarjeje, avokati Fisnik Salihu nga shoqëria e avokatëve RPHS Law, theksoi nevojën për ndryshim dhe plotësim të legjislacionit aktual të punës në aspekte të rëndësishme, të cilat deri më tani nuk kanë qenë të rregulluara, si dhe për balancim të interesave në mes të punëdhënësve dhe punëmarrësve. Gjithashtu, Salihu shtoi se është e nevojshme që të promovohen sa më shumë mekanizmat e zgjedhjes alternative të mosmarrëveshjeve për çështjet e punës, në mënyrë që të shmangen procedurat e gjata gjyqësore.
Gjatë kësaj ngjarjeje, mes të tjerash u adresuan edhe çështje të tilla si arsyet mbrapa mosefikasitetit të gjykatave dhe vonesës në trajtim të çështjeve, rregulloret e brendshme të kompanive dhe respektimi i të drejtave të punëtorëve, si dhe sfidat nga legjislacioni aktual i punës për sektorin privat. /2LONLINE.com/