Pandemia COVID-19 ka nxitur ndërmarrësit e vendit që t’i qasen në mënyrë sa më inovative sfidave që ajo ka krijuar, duke e vënë në pah rolin kyç të inovacionit në luftimin e së njëjtës. Reformat kreative në zhvillimin e veprimtarive të ndërmarrjeve kosovare gjatë kësaj periudhe sfiduese, dhe reagimi i ndërmarrësve ndaj pandemisë, u diskutuan në forumin virtual të rradhës të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë me mbështetje nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, dhe programi i BE-së për Zhvillim të Ndërmarrjeve dhe Lehtësim të Investimeve.
Ndërmarrësi Ardian Hoxha theksoi se masat e imponuara për parandalimin e pandemisë kanë krijuar mundësi për zhvillim dhe inovacion brenda ndërmarrjeve në të gjithë sektorët e prekur, duke shtuar se është krijuar një reformë e përkohshme në të bërit biznes, e fokusuar në strategji të punës nga distanca. Hoxha potencoi se këtë kohë e ka shfrytëzuar për motivim të qytetarëve përmes fjalimeve, ndërsa edhe në bizneset e tij ka krijuar oferta e zbritje të ndryshme për shërbimet dhe produktet që të njëjtat ofrojnë. Sipas tij, tash është koha të shfrytëzohet momenti dhe të mendohet një modeli i ri ekonomik i shtetit, me fokus në krijimin e një ekonomie kompetitive ku Kosova do të ketë çka të ofrojë në tregun global pas pandemisë. Hoxha u bëri apel të gjitha partive, qoftë në Qeveri apo opozitë, që t’i lënë mënjanë inatet dhe të fokusohen në rimëkëmbje ekonomike sa nuk është vonë, meqë çdo vonesë mund të ketë efekte anësore multiplikative.
Visar Idrizi, kryeshef ekzekutiv dhe themelues i Vi-Print, theksoi se kompania e tij është munduar të shqyrtojë çdo mundësi për minimizimin e dëmeve nga pandemia, duke e rishikuar situatën dhe duke zhvilluar ide inovative për t’iu përshtatur të njëjtës. Ai tha se puna e ViPrint është direkt e lidhur me sektorë të ndryshëm, të cilët janë goditur shumë ose edhe janë mbyllur tërësisht gjatë kësaj kohe, e megjithatë, e njëjta ka vazhduar me sektorët esencialë, duke punuar me kujdes të shtuar. Idrizi shtoi se kjo kohë e ka imponuar një kulturë të re kreativiteti dhe ka vënë në pah nevojën e disponueshmërisë së produkteve dhe shërbimeve vendore. Për më tepër, ai tha se tash është koha të jemi sa më pranë njëri-tjetrit dhe të jemi të hapur ndaj bashkëpunimeve drejt inovacioneve të reja, duke ndihmuar në rimëkëmbjen e bizneseve dhe ekonomisë së vendit në përgjithësi.
Petrit Bejdoni, menaxher i marrëdhënieve me publikun në kompaninë ASHA tha se duke u munduar t’i përshtaten realitetit të ri, kjo kompani, në bashkëpunim me kompaninë higjienike Zog&Zog ka zhvilluar disa ide inovative në produkte të nevojshme për këtë kohë pandemie. Sipas Bejdonit, kreativiteti i ASHA-së ka rrjedhë nga nevoja për të mbajtur gjallë biznesin, dhe për t’u përshtatur me rrethanat sfiduese të cilave u janë qasur duke e krijuar kutinë dezinfektuese D-Box. Ai shtoi se ky produkt përveç shërbimit primar, pra, të ruajtjes së shëndetit, mund të ndikojë edhe në perceptimin e një imazhi më të mirë të kompanisë nga klientët dhe përdoruesit e këtij produkti, duke kontribuar njëkohësisht në përmbushjen e përgjegjësisë sociale korporative. Bejdoni gjithashtu shtoi se kjo kohë e ka ndryshuar qasjen me konsumatorin, ku është theksuar nevoja për afërsi dhe bashkëpunim më të madh në mes të kompanisë dhe këtij të fundit.