Ditë më parë, Komuna e Gjilanit, konkretisht Njësia për Sport, kishte bërë ndarjen e mirënjohjeve për personalitetet dhe sportistët e dalluara, në prezantimin më të mirë të mundshëm të Gjilanit dhe Kosovës në gara të ndryshme shtetërore, rajonale e ndërkombëtare.
Po ashtu u dhanë mirënjohje edhe për ata që kontribuuan në sportin gjilanas dhe një ndër ta që u nderua me mirënjohje ishte edhe Shukri Sylejmani- Shuka.
Këtë veprim të institucioneve komunale për të nderuar sadopak me një mirënjohje këtë personalitet që në periudha të ndryshme, dha shumë për sportin, e ka vlerësuar lartë edhe Gzim Shala, nënkryetar i Partisë së Drejtësisë (PD), Dega në Gjilan, që sipas tij, në fakt kjo ishte edhe kërkesë e mëhershme pikërisht nga ky subjekt politik që ia kishte bërë institucioneve.
Shala tha se ndonëse me vonesë, megjithatë nderimi së paku me një mirënjohje për Shukri Sylejmanin ishte akt i qëlluar i komunës, sepse Sylejmani në periudha të ndryshme kohore kishte dhënë shumë nga vetja e tij, për sportin gjilanas dhe më gjerë, dhe se njerëzit që kanë kontribuar, kurdo qoftë, asnjëherë nuk duhet harruar.
Përndryshe, Shala ka përkujtuar se Partia e Drejtësisë, Dega Gjilan, kishte kërkuar nga Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lufti Haziri dhe nga Këshilli Organizativ i “Flakës së Janarit”, të gjendej forma si të nderohej edhe një personalitet tjetër që kontribuojë për sportin, fjala është për Selami Osmanin – Bezi “.
Shala ka thënë se Gjilani ka plotë njerëz të shquar që nëpër periudha të ndryshme kanë kontribuar për sportin në përgjithësi dhe se, ata e meritojnë dhe duhet të nderohen edhe në nivel vendi, e le më nga komuna.