Komunikatë e përbashkët për media nga Prokuroria Themelore në Gjilan dhe Policia e Kosovës – drejtoria rajonale në Gjilan.
Prokuroria Themelore në Gjilan, ju njofton se në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës – Drejtorinë Rajonale në Gjilan, pas hetimeve intensive ka ndaluar të dyshuarën N.R., për shkak të veprës penale ‘’Lajmërimi apo kallëzimi i rremë’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
E dyshuara e lartshënuar më datë 25 Maj 2024, rreth orës 00:56, ka raportuar se derisa kishte qenë duke ecur tek varrezat e qytetit në Gjilan së bashku me djalin e saj, ishte ndaluar nga dy persona të maskuar, të cilët nën kërcenim e kishin tërhequr brenda rrethojës së varrezave, ku pastaj sipas saj e kishin dhunuar seksualisht dhe ia kishin grabitur me forcë stolitë e arit.
Prokuroria Themelore në Gjilan, në koordinim të plotë me Njësinë e Hetimeve Rajonale në Gjilan, me qëllim të zbardhjes së këtij rasti kanë ndërmarrë veprime intensive hetimore, ku bazuar në provat e marra, deklarimet e palëve të përfshira në rast, raportet mjekësore nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, analizimit të shumë materialeve me video-incizime janë siguruar dëshmi se gjithë ngjarja ka qenë një inskenim dhe e njëjta ka raportuar rrejshëm me rastin e lajmërimit të saj në polici.
Me urdhër të prokurorit e dyshuara gjendet në ndalim 48 orësh dhe ndaj të njëjtës brenda afatit ligjor do të vendoset rreth masës për sigurimin e pranisë në procedurë penale. /2LONLINE/