Sot, pas një sëmundje të rëndë, u nda nga jeta profesori Ymer Latifi. Lindi në fshatin Pogragjë, më 28.05.1945, ku edhe e kreu shkollën fillore, ndërsa të mesmen dhe Shkollën e Lartë Pedagogjike (1969-1969) i kreu në Gjilan. Fakultetin e Gjuhës Shqipe e kreu në Prishtinë. Ndonëse shkollimin e filloi me vonesë, në moshën 10-vjeçare, për shkak të rrethanave familjare, ai arriti t`i përfundojë studimet para kohe. Qysh si nxënës i fillores, Ymeri shfaqi pasionin e tij për librin dhe leximin.
Pas mbarimit të Shkollës Pedagogjike, Ymeri filloi të punojë si mësimdhënës në shkollën e fshatit “Liria” në Pogragjë dhe paralelet e ndara fizike në Llocë (1969-1975). Gjatë viteve 1975-1976 punoi në Gjimnazin ‘’Zenel Hajdini’’ në Prishtinë, kohë kjo kur njëherësh po i ndiqte edhe studimet në Fakultetin e Filologjisë.
Ymeri shpeshherë i kujtonte takimet me profesorët e atëhershëm Menduh Begolli, Sali Qilirgjiu, Demush Shala, Amet Kelmendi, Ramiz Kelmendi dhe Rexhep Hoxha, të cilët e kishin spikatur djaloshin nga Gjilani si student të dalluar, të zgjuar dhe të shkathtë, prandaj e inkurajonin që t’i vazhdonte studimet e mëtejme në Universitetin e Prishtinës.
Nga viti 1976 deri në vitin 1979, ka punuar profesor në Gjimnazin ‘’Zenel Hajdini’’ në Gjilan, ndërsa gjatë viteve 1979-1982, për arsye familjare, kthehet të punojë në fshatin e lindjes, në Pogragjë.
Një djalosh i pasionuar pas librit, një student i dalluar dhe më vonë një profesor i përkushtuar ndaj punës me nxënës, nuk kishte se si të mos i binte në sy pushtetit të kohës, i cili ndërhyri dhe e largoi nga arsimi si të papërshtatshëm ideo-politikisht.
Shkak për këtë u mor edhe burgosja e Nazmi Hoxhës, i cili si udhëheqës i grupit të Gjilanit në demonstratat e 1981-shes u arrestua dhe u dënua me 15 vite burgim. Ymeri, si mik dhe bashkëpunëtor i tij u vlerësua i papërshtatshëm që të punonte në arsim, meqë po i frymëzonte nxënësit me dashuri ndaj çështjes kombëtare.
Pas diferencimit dhe përjashtimit nga arsimi (1982), për tri vjet mbeti pa punë, derisa u angazhua në Kooperativën Bujqësore në Pogragjë, si inkasant dhe daktilografist, deri në vitin 1991, kur iu rikthye punës me nxënës, pasi realiteti në Kosovë kishte ndryshuar dukshëm në raport me Serbinë. U pensionua në vitin 2010.
Një jetë të tërë, Ymeri u përball me sfida e vështirësi, me ndjekje e tortura nga politika e policia serbe, e cila njëherë e diferencoi dhe e largoi nga puna, ndërsa më vonë e ndoqi dhe e torturoi nën pretekstin për veprimtari armiqësore, armë mbajtje pa leje dhe arsye të tjera.
Masat represive nuk e thyen Ymerin në përcaktimin e tij atdhetar, përkundrazi e bënë edhe më të vendosur në luftimin e padrejtësive dhe gjakimin e lirisë për vendin e tij. Përherë ishte në ballë të iniciativave dhe aktiviteteve me karakter kombëtar, ashtu që në kohën kur askush nuk guxonte të merrte përgjegjësi, nga frika e pushtetit të dhunshëm serb, Ymeri angazhohet si nismëtar dhe themelues i parë i lëvizjes gjithëpopullore të quajtur LDK, në vitet e 90-ta.
Baca Ymer dha kontribut të madh edhe në pajtimin e dy familjeve të kësaj ane, bashkë me pajtimtarët tjerë, Xhelil Pajaziti, Reshat Hoxha, Halil Bllaca.
Ai mbante kontakte të përhershme me shumë atdhetarë, si Nazmi Hoxha, Femi Zymberi, Zejnullah Bajrami, Zejnulla Zejnullahu dhe shumë shokë të tjerë, të cilët u morën me materiale propagandistike kundër pushtetit të kohës, siç ishin shpërndarja e librave ilegale me moton “Lexo e përcill”, që të mos bien në dorë të armikut. Thënë të drejtën, këto libra, më shumë janë lexuar nëpër male, se sa nëpër shtëpi, që të mos përfundonin në duart e armikut.
Ymeri, para dhe gjatë luftës, ishte në kontakt me disa djem të ri në fshat, të cilët, të mbështetur dhe të frymëzuar nga rrëfimet e arsimtarit të tyre, u bënë organizatorë të celulave të para të UÇK-së. Ymeri i priste në shtëpinë e tij, bisedonte dhe i motivonte çdo herë ata, duke ua ngulitur në mendje faktin se liria nuk fitohet pa gjak dhe se kishte ardhur momenti që t`i dalim zot atdheut.
Besimi dhe morali i lartë që demonstroi Ymeri si intelektual, ndikoi që shumë ushtarë të UÇK-së ta duan dhe respektojnë profesorin e kësaj ane, ose bacën Ymer, si e quanin këndej. Në këtë frymë i edukoi edhe fëmijët e tij. Njëri nga djemtë ishte pjesë e celulave të para të UÇK-së dhe më pas, radhëve të saj iu bashkuan edhe djali tjetër, bashkë me vajzën e madhe.
Fëmijët e tij i kujtojnë momentet kur babai Ymeri u thoshte: “nuk jeni fëmijët e mi nëse nuk i dilni zot vatanit”. Të rrallë janë ata prindër e intelektualë që fëmijët e tyre t`i kenë shtyrë që t`i bashkëngjiteshin radhëve të luftës. Ymeri e kishte kuptuar se politika paqësore nuk mund të sillte çlirimin e Kosovës, por duhej përveshur luftës për idealin e lirisë.
Shtëpia dhe familja e Ymer Latifit në Pogragjë, jo rastësisht ka qenë vendtakim, strehë dhe bazë e luftëtarëve të tri ushtrive shqiptare në Kosovë, Luginë të Preshevës dhe Maqedoni, të cilët i priste dhe i përcillte me respekt dhe dashuri të veçantë, për çka është nderuar me mirënjohje e lëvdata. Komandanti i Zonës së Preshevës, Mustafë Shaqiri – Shpejtimi e nderoi me mirënjohje për kontributin e dhënë në organizimin ushtarak, si “shtëpia bazë’’ familjen e Ymer Latifit dhe dy djemtë e tij veteranë.
Ymeri ishte mishëruar me luftën për çlirimin e vendit dhe prandaj krahun e luftës e mbështeti më vonë edhe në aktivitetin politik, duke u angazhuar në Partinë e Progresit Demokratik, ku u zgjodh kryetar i parë i nëndegës në Pogragjë dhe fshatrat përreth, për dy mandate.
Pas një angazhimi disavjeçar, baca Ymer, me modestinë dhe dëshirën që e karakterizonte, vendosi të tërhiqej, në mënyrë që roli udhëheqës në proceset e rëndësishme politike, t`iu lihet në dorë të rinjve.
Këtë gjest mund ta bënte vetëm një njeri patriot dhe atdhetar, i cili me këshillat, me mësimet dhe veprimet e tij në dobi të atdheut dhe çështjes kombëtare në përgjithësi, do të mbetet një shembull i papërsëritshëm.
Ymer Latifi e vuri veten dhe familjen e tij, pa asnjë hamendje, në shërbim të vendit dhe popullit, në të gjitha betejat për çlirimin e trojeve shqiptare.