NATA QË S’VDES KURRË
Ramadan REXHEPI
1. Shënim hyrër rreth këtij shkrimi
Po mbushen 37 vjet nga nata kur në Untengruppenbach, një fshat i vogël gjerman, u vranë vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe bashkëluftëtari i tyre Kadri Zeka. U vranë nga ata, që gjithëmonë kanë dashur të na fyejnë, të na shkelin, të na dhunojnë e të na kallin të gjallë në dhê. Mu për këtë arsye ikja e tyre na i kujton “ Fjalët e qiririt”, vjershës më të bukur që na ka lënë kujtim Naim bej Frashëri. Ajo, më mirë se asnjë vjershë tjetër, pasqyron relacionin e poetit me popullin e tij. Qirinjt e popullit shqiptar janë Naim Frashëri, Gjergj Fishta, Asdreni, Ndre Mjeda, Fan Noli, Lazgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Esat Mekuli e shumë e shumë të tjerë që s’ ka nevojë t’ i radhis këtu. Vjershat e tyre ishin fanarë me të cilët luftëtarët e lirisë e kërkonin dritën dhe çlirimin e Kosovës.
Data 17 janar 1982 është një datë të rëndësishme për Lëvizjen Kombëtare. Ajo shënon çastin kur Krimi, edhe një herë, si shumë herë tjera, kërceu nga arkivoli i tij dhe volli plumba mbi bijt e popullit shqiptar. Ashtu bëri kur na e mori Naum Veqilharxhin, Anastas Kulluriotin, papa Kristo Negovanin, Isa Boletinin, Luigj Gurakuqin, Bajram Currin, Hasan Prishtinën, Zef Serreqin, mulla Idriz Gjilanin, Jusuf e Bardhosh Gërvallën, Kadri Zekën, Rexhep Malën, Nuhi Berishën, Agim Ramadanin e shumë e shumë udhërrëfyes të talentuar. Pa marrë parasysh se kush e ka gatuar, ai e ka patur një synim të qartë: ta godasë Lëvizjen tonë Kombëtare për vdekje. Mu për ate, nata e 17 janarit është për ne – natë e dhëmbjes krenare, sepse merr frymë me dhëmbjen e përgjithshme të Kombit, që nga Boletini e deri në Prevezë.
Artikullin ”Nata që s’ vdes kurrë” e shkrova më 17 janar të vitit 1996, kur po e drejtoja emisionin ABC dhe Kosova akoma s’ i pat thyer prangat e robërisë sllave. Sot, kur Jusufi, Bardhoshi e Kadriu pushojnë në djepin e Kosovës së Lirë, jemi të lumtur dhe krenarë që Jusufi, Kadriu e Bardhoshi janë kthyer atje për të mos vdekur kurrë. Qoftë i lehtë dheu ku pushojnë ata dishepuj!
2. Zilja e telefonit
Thonë se atë natë zilja e telefonit nuk pushoi së rëni në shtëpinë e Gërvallajve. Pyeste Kosova për shëndetin e tyre, pyeste Zvicra, pyeste Shqipëria, pyeste Gjermania, por përgjegjia ishte e njejtë: Bardhi e Kadriu u shndërruan në flamuj, ndërsa Jusufi ishte gjithnjë gjallë. Ai luftonte gjithnjë me vdekjen, thua se, n’ atë mënyrë, donte ta nënvizonte me shembullin e tij që vdekja për realizimin e aspiratave të popullit është përjetimi më i bukur i luftëtarëve të lirisë. Edhe ai, njësoj si qiriu, dontë të digjej sa më gjatë për të na dëftuar se kryengritja e armatosur është rrugëdalja e vetme për të dalë nga robëria shekullore.
Rënia e dëshmorëve të 17 janarit është një metaforë e pavdekshme. Ajo zuri fill diku midis jetës dhe vdekjes për t’ u ngjallur përsëri, edhe më e fortë, edhe më e fuqishme. Atëbotë kur armiqët tonë mentuan se e thyen Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka, Bardhosh Gërvalla, Nuhi Berisha, Rexhep Mala e qindra të tjerë e nxorën në ballë të demonstratave. Ka gjasa që një ditë, kur të rishkruhet historia e popujve të Balkanit, dikush do të thotë se Jugosllavia u prish nga sllovenët apo kroatët, por ata që ia vunë kazmën të parët dhe e bënë për vdekje – ishin shqiptarët.
Vrasja e Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës është një përvjetor të cilin e kujton mbarë populli shqiptar. Ata ishin të ndjekur thuajse në çdo hap, por kurrë s’ pushuan së vepruari. Nuk e vranë menden se Udba do t’ iu bënte ndonjë atentat.
Duke qënë se Udba e kishte ngushtuar hapsirën e tyre propagandistike, si Jusufi, ashtu dhe Kadriu, u detyruan të dalin jasht atdheut për ta vazhduar veprimtarinë e tyre. Që nga dhjetori i vitit 1979 vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka bën gjithçka që t’ i pajtonin shqiptarët midis vedi. Atij misioni nuk iu ndanë deri në fund.
Ajo që dua të cekë është sa vijon: Jusuf Gërvalla, edhe pa vrasjen e shëmtuar të Udbës gjakatare, ishte aq i madh si krijues, saqë, sikur të jetonte sot, do t’ i mbante me bukë e krenari goxha do studjues e krijues të letërsisë shqipe. Unë, pra, duke iu kthyer vjershave dhe artikujve të tij, dua t’ i afrohem njeriut, krijuesit dhe shqiptarit Jusuf Gërvalla.
3. Sa vargu i një vjershe
Jeta e Jusufit nuk ishte më e gjatë se vargu i një vjershe të bukur. Ai u lind në vitin 1945 dhe vdiq në vitin 1982. Vdiq siç i kishte hije një luftëtari të lirisë: si poet, prozator, kompozitor, përkthyes dhe prind i shkëlqyeshëm. Para së gjithash, Jusufi vdiq si poet. Vdiq si Frederico Garcia Lorca. Vdiq si Victor Jara. Vdiq si Jose Marti. Vdiq si Shandor Petefi. Vdiq si vdesin të gjithë kundërshtarët e shtypjes dhe robërisë. Vdiq si kryengritës.
Për jetën e Jusufit kanë shkruar shumë krijues. Edhe ata që e kanë njohur, edhe ata që s’ e kanë njohur. Studjues të gjuhës shqipe, shkrimtarë të njohur, doktorë të shkencave dhe bashkëveprimtarë të tij. Thuase çdo rresht që është shkruar mbi Jusufin rrezaton mallë, respekt dhe përulje. Kjo dëshmon se Jusufi ishte një prijës i vërtetë; ai i donte këngët, e donte jetën. Megjithate, ai s’ e donte jetën e rehatshme.Jetën me duar e me gojë të lidhur. Se të ishte e kundërta, ai do të rrinte urtë dhe do të mbaronte aty ku kanë mbaruar shumë e kolegë të tij: në cepin e ndonjë katedre të Universitetit të Prishtinës apo në ndonjë redaksi të Radiotelevizionit të Kosovës.
Jeta e tij ishte si ato xhadetë e lashta iliro-pelazge, që e lidhin fushën me malin, malin me bjeshkën dhe bjeshkën me yjet e qiellit. Ajo ishte si ata lumenjtë arbëror që i lidhin fshatrat me qytete, qytetet me krahina dhe krahinat me atë kopshtin e shkëmbenjtë që ne e quajmë Shqi..Pë..Ri.. Jeta e tij ishte si legjendat tona të moçme, të cilat e lidhin epikën me tragjikën… Edhe Jusufin, njësoj si Hasan Prishtinën, Luigj Gurakuqin, Ismail Qemalin, Çerçiz Topullin, Isa Boletinin, Papa Kristo Negovanin, Anastas Kulluriotin dhe Kadri Zekën e Bardhosh Gërvallën, na e vranë armiqët shekullorë. Megjithate, prore s’ e kam të qartë se si populli im, tridhjetë e pesë vjet pas vrasjes së tyre, nuk është në gjendje t’i dëftojë miqët me dorë dhe armiqët me grykë të pushkës.
Sabri Hamiti, në një analizë që i bën veprës së Jusuf Gërvallës, na le të kuptojmë se Jusufi ishte më shumë latin se anglosakson. Sabriu ka të drejtë.Jusufi e kishte qejf muzikën, i kishte qejf këngët dhe, në fluturimet e veta poetike, shpesh herë i prekte lartësitë e tyre.
4. Aq sa dijmë deri sot
Për Jusufin janë shkruar me dhjetra artikuj dhe jam i sigurtë se të gjithë ata që morën mundin të shkruajnë për te e kanë bërë nga respekti për veprimtarinë e tij edhe si poet, edhe si përkthyes, edhe si muzikant. Çka se, një pjesë e veprimtarisë së Jusufit gjendet gjithënjë nëpër faqet e Rilindjes, Flakës së Vëllazërimit dhe gazetave e revistave me të cilat bashkëpunoi.
S’ ka mëdyshje se një punë të madhe në mbledhjen e vjershave, komponimeve dhe artikujve të botuar në shtypin e përditshëm e ka bërë familja e tij.Merita më e madhe për ato që kemi sot në dorë i takon, në dorë të parë, zonjës Syzana Gërvalla. Libri i Kadri Rexhës ”Fati i luleve” është për çdo lavdatë, një orvatje serioze për t’ iu afëruar vazhdës jetësore të Jusufit. Në gjurmët e asaj përpjekjeje shkon edhe përmbledhja e veprave të tij që botoi ”Ora” e Prishtinës në vitin 1992. Në po ato gjurmë ecin edhe shpjegimet e Skender Blakajt, që ishte njëri nga shokët më të ngushtë.
Përkundër asaj që u tha më sipër, mentoj se çdo gjë duhet ndërtuar mbi të dhënat e vet Jusufit. Ja se si e përshkruan ai jetën e tij:
Jusuf Gërvalla, i lindur me 1 tetor 1945 në Dubovik, komuna e Deçanit.Prindërit: Bardhosh Gërvalla, Dubovik, vdiq në vitin 1951. Ajshe Gërvalla, Buzhala, e lindur në Krushec, komuna e Pejës.
Përgaditja shkollore. Gjimnazi “11 Maji”, Pejë. Fakulteti Filozofik, gjuhë dhe letërsi shqiptare, Prishtinë. Letërsia shqiptare, studime pasuniversitare, Prishtinë.
Shënime për punën. 1969: pëshpëritës në Teatrin Krahinor, Prishtinë. 1970: përkthyes dhe gazetar në “ Flaka e Vëllazërimit”. 1973: gazetar i faqes së kulturës në “Rilindja”, Prishtinë.
5. Veprimtaria letrare:
Fluturojnë e bien, vjersha. Rilindja 1975.
Kanjusha e verdhë, vjersha. Rilindja 1978.
Shenjat e shenjta, vjersha. Flaka e Vëllazërimit, 1979.
Përkthime. Kish Danilo: Kepsidra, roman; Marinkoviq R: Gloria, dramë; Zlobec J. Amshimi im i shkurtër; Asturias M: Legjenda e Guatemalës:
Gjendja familjare.
Gruaja: Syzana Gërvalla, 1949.
Fëmijët: Premton Gërvalla, 1969. Donika Gërvalla, 1971. Ergon Gërvalla, 1977.
6. Veprimtaria shoqërore.
1978: antar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.
1979: antar i Shoqatës së Përkthyesve të Kosovës.
Më 14 dhjetor 1979 largohet nga Prishtina i paralajmëruar se do të arrestohej nga policia jugosllave.
1979: Ludwigsburg, ku merr statusin e të arratisurit politik.
1980: fillon botimi i ”Lajmëtarit të Lirisë”.
1981: fillon botimi i “Zërit të Kosovës”.
Kaq na ka lënë Jusufi. Ai mundej të shtonte edhe sa vijon: Vëllezërit: Hyseni, 1941. Bardhoshi, 1949 dhe Avdyli, 1953.
7. Ecje liridashëse
Ecja e Jusuf Gërvallës ka qenë një ecje patriotike të cilën nuk e trazuan as pusirat e Beogradit, as tradhtirat e Tiranës. Ajo zë fill në bankat e gjimnazit “ 11 Maji” të Pejës dhe vazhdon e qetë nëpër sallat e një fakulteti të albanologjisë, nëpër redaksitë e ”Flakës” dhe ”Rilindjes” dhe derdhet aty ku është derdhur gjaku i të gjithë luftëtarëve të lirisë: për një Shqipëri të lirë, për një Shqipëri të lulëzuar dhe për një Shqipëri Etnike. Shi për ate, ecja e tij merr fund aty ku pushuan Luigj Gurakuqi dhe Hasan Prishtina. Aty ku pushuan me qindra e mijëra viktima të Kosovës Hallemadhe. Duhet cekur se ai nuk ishte në pritje të Demonstratave të vitit 1981. Kërkesa ” Kosova – Republikë” për te ishte vetëm një stacion. Shi për ate armiku nuk hezitoi shumë për t’ ia prerë ecjen, qoftë edhe duke e likuiduar fizikisht.
Ecja e tij ishte krenare. Si ecja e njerëzve liridashës dhe përparimtarë. Ai ra në altarin e lirisë sipas misionit që ia kishte caktuar vetes: Në ballë të këtij populli dhe te këmbët e këtij populli flijimi dhe vdekja për realizimin e aspiratave të tij janë përjetimi më i bukur dhe më besnik në tërë jetën.
Është bërë zakon që hyzmeqarët e Lëvizjes Antikombtare t’ ua bëjnë autopsinë heronjëve tonë kombëtarë duke ua zvoglaur apo zmadhuar meritat sipas nepsit të tyre. Është ky një zakon i qelbur që na ka mbetur peshqesh nga mesjeta staliniste, e cila, ndonëse ngordhi një herë, përsëri ka nxjerrë kokë në jetën tonë të përditshme. Këtë zakon duhet ta flakim në shportën e historisë dhe t’ i ruajmë prijësat kombtarë nga atributet që s’ i kanë pasur.
Jusuf Gërvalla ishte një poet i talentuar. Një gazetar i rrallë. Një përkthyes i shkëlqyeshëm i veprave serioze. Një ushtrues dhe kompozitur i palodhur. Të gjitha këto virtyte i kanë hije. Por para së gjithash, Jusufi ishte një patriot dhe ecja e tij ishte në shërbim të një Shqipërie të përbashkët. Këtë kryevepër të tij nuk guxojmë ta ngatrrojmë as me marksizma, as me leninizma.
8. Ëndrra e përjetshme
Ëndrra e tij ishte – Shqipëria. Sa i bukur që ishte emri i saj. Sa i largët! Sa i pakapshëm nga imagjinata e një poeti që ish rritur pranë, por nuk jetonte në prehrin e saj. E athët si ajo fruta e thanës së egër, me borë e bjeshkë rreth e përqark. Jehonë e pejzazheve rrëqethës dhe mëmë e lumenjëve të rrëmbyeshëm. Brengë e përhershme e burrave të dheut dhe mallkim i buzëve ziliqare.
Sa pakë që dinte ai për atë mushkë kryeneçe, të cilën Satrapi i Gjirokastrës e kishte ngarkuar me diell e me vapë e me kampe të përqëndrimit. Sa pak që dinte për atë teatër ku natë për natë luheshin tragjedi me vdekje e vetvrasje makbethiane.
Shqipëria! Sa i bukur që ishte emri i saj! Sa i ftohtë! Sa i paprekshëm nga etja e një viktime! E freskët si rraptima e pikave të shiut, e vrazhdë si lëkura e një bishe të madhe dhe e ngrohtë si loti i nënës së dashur. Gjatë ecjes së tij mbi tehun e thikës, Jusufi e ndoqi emrin e saj si fëmia që e ndjek topthin e diellit për pa e kuptuar se ai është tepër i largët dhe nuk kapet dot.
Ëndrra e tij ishte – Shqipëria. Një ëndërr e bardhë si krahu i mjellmes. Një ëndërr e pambërthyer nga bursat, studimet posuniversitare dhe endjet e kota të oligarkisë së kuqe. Ëndrra e tij ishte – Shqipëria deri në vdekje. Një Shqipëri që Jusufi e kishte parë vetëm në fasadën e trupave artistike, të cilat atbotë dilnin nga Shpella e Polifemit dhe këndonin për Mao Ce Dunin. Një ëndërr e mbërthyer në pranga dhe një zhgjëndërr e farmakosur në kërcnime.
Ëndrra e tij dhe e jona: një prehje këmbëshkurtër nën putrat e Lëvizjes Antikombtare.
9. Si notat e një oktave
Sonte mbushen 37 vjet që Jusufi nuk është në mezin tonë. Numri i atyre që patën rastin të rrijnë, të qeshin dhe të bisedojnë me të nuk po shtohet por po rrallohet gjithnjë e më shumë. Kjo është një gjë e trishtë dhe dëshmon se shumë gjëra në jetë janë rastësi.
Zëri i Jusufit ishte i qartë dhe i thekshëm si notat e një oktave të kaltër. Zanoret dhe bashktinglloret e tij ishin të gdhendura e të lara si rrasat e lumenjëve tonë, të cilat, gjatë ecjes së tyre mbi shtratin e kryengritjes, nuk arritën ta fitojnë mpreftësinë e diamanteve të vërtetë. Ato nuk arritën të shëndrrohen në një ylber që s’ do të dijë për hone e gremina. Kjo ndodhi sepse ai, për dallim nga ne, qytetarët e thjeshtë, e pat afatin të shkurtër mbi Tokë. Edhe kjo është një tragjedi kombtare.
Jusufi ishte poeti i vetëm shqiptar që mundej t’ i shëndrronte fjalët e tij në tinguj dhe t’ ua caktonte misionin që kishin. Ai kishte talent dhe përgaditje profesionale për atë punë. Unë s’ di si ta quaj këtë fatkeqësi tonën pos – tragjedi kombtare.
Deri në vitin 1979 zanoret dhe bashktinglloret e tij ishin rraptima të krihëve të një pëllumbi të bardhë, të etur për liri. Fjalë të bardha, fjalë të lira, fjalë të dehura nga kaltria e qiellit kosovar.
Pas vitit 1979, sëbashku me shqetsimin e një populli që ishte zgjuar nga robëria shekullore, edhe fjalët e Jusufit dalin nga kafazi i artë dhe veshin petkun e kryengritjes. Ato politizohen dhe kërkojnë dalje nga rrethimi.
Shpesh herë, kur më merr malli për Naim Frashërin, Andon Zako Çajupin, Aleksandër Drenovën, Faik Konicën apo Millosh Gjergj Nikollën, e qortoj kohën për shkatarragjet e saj. Sikur koha të lindej njëqind vjet më parë, ka gjasa që ne, me ndihmën e teknikës sotme, do të dinim si ligjëronte Naim Frashëri, Hoxha Tahsini, Jeronim de Rada apo Thimi Mitkua. Po kështu nuk ndodhi. Fatlumnisht, ne mund ta ngushllojmë veten me diçka tjetër: e dimë si këndonte Jusufi.
Sonte, 37 vjet pas ikjes së tij, dhoma ime është mbushur me vargjet e tij. Është një këngë për nënën, këngë e thjeshtë, por shumë e ëmbël për ta dëgjuar. Ai këndon, ndërsa Bardhi e përcjell me kitarë.
10. Qenia
Qenia e Jusufit ka dalë nga ashti i një thane. Trupin e ka të fortë, gjethet i ka të ashpër, ndërsa lulet pak si të verdha, gjatoshe, leshatuke. Ajo s’ mundet pa diell, andaj rritet nëpër shkëmbinj dhe gremina të thella. Larg livadheve dhe gurrave të ujit. Sa herë që del behari, ajo vishet me gjethe të gjelbërt dhe e joshë zogjërinë me degët e saj.
Qenia a tij ka dalë nga lëkura e përgjakur e një thane. E shikojnë shpendët nga larg dhe habiten me durimin e asaj peme që s’ do veçse pak vend për ta shndërruar këndin e saj në shtrat të hënës. Dielli ia huazon rrezet e mëndafshta dhe ajo, duke mos patur me çka t’ i çfaqë mirënjohje, shkëlqen si këmisha e një zane. E shikojnë lisat nga larg dhe habiten me kokëfortësinë e asaj thane që rri si nuse në vek të xingonës dhe thur lule nga dhëmbjet e tij.
Qenja e tij është këputur nga vallja e yjve lazgushian. Kalojnë ernat atejpari e s’ e lëkundin dot. Kalojnë ujrat atejpari e s’ e lagin dot. Dhe ai vazhdon të na buzëqeshë, sepse edhe ai si thana, thur lule me fijet e dhembjeve tona. Për këtë virtyt që kishte, duhet t’ ia kemi të gjithë zilinë dhe të përkulemi para aenies së tij.
11. Dritarja e shpirtit të madh
Dikush ka thënë: sytë janë dritarja e shpirtit. Me ndihmën e tyre shpirti e vëzhgon diellin duke aguar në mëngjes, njeriun duke dalë e duke u kthyer nga puna, shiun duke rënë nga qielli, erën duke ardhur nga fusha dhe hënën duke u fshehur prapa reve. Po ka mundësi të jetë edhe e kundërta: që nëpërmjet syve, bota e sheh veten.
Ndeshja ynë me sytë e tij – është e ëmbël. Ai që nuk e di se Jusufi ishte poet, e zbulon lehtë nëpërmjet syve të tij. Sytë e Jusufit ishin të qetë, pakëz të mentuar dhe pasqyronin një modesti që ishte poaq stabile sa dhe faqja e detit. Sytë e tij ndriçonin me dritën e një harmonie që pushonte e sigurtë në bindjet e tij.
Për dallim nga ata që sot po e quajnë veten bardë, Jusufi e dinte se ishte poet dhe këngët që i kishte kyçur në zemër nuk do t’ i këndonte kurrë. Ai e dinte se disa nga rrokjet e tij ishin me këmbë të dobëta dhe destini i tyre nuk ishte të ngjiten në Olimp. Ai e dinte se fati i tyre ishte të shkruhen me gjak.
Pa marrë parasysh rrethanat jetësore, ai kishte sy vizionarë dhe i shihte gjërat më larg seç i shihnin poetët e grushtave të ngritur përpjetë. Ai e dinte mirë se Republika e Kosovës ishte një dalje provizore dhe se shqiptarët nuk kishin çka të prisnin nga Internacionalja Proletare. Internacionalja ishte aq e ngordhur, aq e paralizuar, sa që askush s’ e konsideronte të gjallë.
12. Ai s’ iku vetëm
Shokët e tij ishin Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla. Ata e ndoqën deri në vdekje. Vetë fakti që e shoqëruan deri në fund dëshmon se ata, pa marrë parasysh rrethanat, ishin dëshprimisht të shqetësuar për fatin e popullit të tyre. Shi për ate, ata i ruajtën lidhjet me njëri tjetrin, i ranë Evropës rreth e rrotull, u konsultuan dhe, prapëseprapë, u ulën pranë njëri tjerit për t’ i rrafshuar kontraditat. Vdekja e përbashkët dëshmon se ata, përpara interesave të ngushta, e kishin vënë atdheun në krye të vendit.
Të gjitha këto, po dhe më shumë, i kemi mësuar nga shokët e Kadri Zekës. Edhe për Kadriun janë shkruar shumë fletore e libra. Ç’ ka se Kadri Zeka, edhe si njeri, edhe si veprimtar, përbëhej nga një brum tjetër. Ai s’ ishte poet, por gazetar. Shi për ate, ata që do ta shkruajnë biografinë e tij duhet ta kapin personin e tij nga një këndvështrim tjetër. Për veten time, dua të konstatoj se Kadriu ishte njëri nga luftëtarët e pakët të të Majtës Shqiptare që i pa me kohë cilësitë dhe virtytet e shkëlqyeshme të vëllezërve Gërvalla.
Ai që gjithmonë mbeti në ballë dhe prapa halleve të përditshme të Jusuf Gërvallës, ishte Bardhosh Gërvalla. Për Bardhin gjithmonë është folur pak. Më sa duket, si vëlla i vogël i një vëllau të madh, s’ kishte kundër të jetë argati i palodhur i Qëndresës shqiptare.
Herë herë, kur flasim mbi jetën e Gërvallajve në Shqipëri, Premtoni më dëfton shumë gjëra të panjohura për xhaxhain e tij. Të vjen mirë kur mëson se pas arratisjes së tyre nga Jugosllavia, ishte Bardhoshi ai që bëhej kurban i Lëvizjes Kombtare. Të vjen mirë dhe sytë të mbushen me lot kur mëson se ai, ndonëse i lodhur e i rraskapitur nga puna, në cilëndo orë të ditës apo natës, e çonte Jusufin nëpër mbledhjet dhe konsultimet e përbashkëta. Ndonëse Bardhi ishte një gjuhtar i aftë dhe e fliste anglishten, gjermanishten e sllovenishten dhe mundej të fitonte mirë, ai, kur ranë këmbanat e vitit 81, i la të gjitha anash dhe u shndërrua në vullnetar të Ushtrisë Kombtare që më vonë, pas vdekjes së tij, do të quhej Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
13. Kush i vrau
Jusufi vdiq më 17 janar të vitit 1982, pak më vonë se Kadri Zeka e Bardh Gërvalla. Ate se kush dhe me urdhër të kujt u vranë këta dëshmorë të parë të Lëvizjes së Re Kombtare, nuk do ta mësojmë kurrë. Megjithate, e dijmë se vrasjen e tyre e kurdisën po ato forca që e vranë Luigj Gurakuqin, Hasan Prishtinën, Isa Boletinin, Azem Bejtën, Shaban Polluzhën dhe qindra e qindëra të tjerë. Vetë Jusufi, nga sa më kanë dëftuar shokët e tij, ishte i bindur se aktorët e asaj vrasje nuk janë shqiptarë. Njëri nga dëshmitarët më të mirë të asaj vepre mizore ka qenë bashkqytetari im, Hasan Kadria, që njihej mirë me familjet Gërvalla dhe Zeka. Ajo vrasje e shëmtuar pat lënë mbresa të thella në shpirtin e tij dhe Hasani s’ e përjashtonte askend.
Varri i Jusuf Gërvallës gjendet përbri varrit të Kadri Zekës. Ajo që i bashkoi definitivisht me njëri tjetrin ishte vdekja për lirinë e Kosovës. Kam thënë edhe më parë, po them edhe tani, se do të vijë një ditë kur jo vetëm eshtrat e tyre, por edhe eshtrat e Enver Hadrit, duhet të pushojnë në parzmin e tokës shqiptare. Vetë fakti se gjatë jetës së tyre u përpoqën t’ i njësojnë fjalët me vepra dhe të bien për realizimin e tyre na obligon ta përmbushim një amanet të pashqiptuar.
Kjo, pra, na obligon edhe për diçka tjetër: ta ruajmë kujtimin e tyre ashtu siç ishin e jo t’ i shndërrojmë në relika të një ikonografie mongole. Mënyra më e mirë për ta ruajtur një ideal të lartë është – vazhdimësia. Ecja kryeneçe drejt realizimit të një aspirate. Çdo ikonografi tjetër është mohim i ikonografisë kombtare dhe mund ta lëndojë kujtimin e tyre.
Si sot më kujtohet janari i vitit 1983. Kisha vajtur në përvjetorin e vdekjes së Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës. Bënte një acar i madh dhe njerëzia, me qindëra, me mijëra, ishin mbledhur në vende të ndryshme të Shtutgartit. Kryesisht në Hauptbahnhof, Stacionin kryesor. Binte një borë e madhe dhe unë e Hasan Kadria memzi hymë në qytet.
Organizatorët, për hir të ikonografisë së lartpërmendur, duhej ta shfrytëzonin çdo çast, çdo efekt, çdo qeleshe. Sëpari demonstratë, pastaj peticion, pastaj vigma me grushta përpjetë. Shumë grushta. Pastaj çfaqje. Jo për ta theksuar trishtimin e një populli të pafajshëm, por për t’ u shitur mend edhe gjermanëve se ”marksizëm – leninizmi ishte zgjidhja më e mirë e problemeve të Gjermanisë Federale”.
Tolstoi, që ishte urretjës i madh i ikonografive të mbufatura, thoshte: Mos më qani pasi të vdes, sepse për atë ditë jam përgaditur gjithë jetën, por qa-mëni sa jam gjallë. Çka është vdekja? Vdekja është stacioni i parë i ringjalljes së re, që është më e madhe dhe më kuptimplotë se jeta.”