24 marsi i vitit 1999, është nata që ndriçoi horizontin mbi Kosovë, për të rikthyer shpresën e fitores tek një popull i shtypur me shekuj dhe që po rrezikohej të zhdukej fare nga trojet e veta. Këtu nis fundi i dramës së përgjakshme kosovare, që do të përmbyllet më 12 qershor 1999, kur forcat serbe pranuan dështimin përfundimtar në Kosovë.
Shkruan: ILMI MUSLIU
Nga 24 marsi e deri më 12 qershor, për 78 ditë, forcat serbe kryen shumë vrasje, shkatërrime, tortura, dhunime e dëbime të popullatës, të cilat po ndodhnin pas një periudhe dhjetë vjeçare të diskriminimit në punë, shëndetësi, arsim, administratë si dhe gjyqeve e “bisedave informative” në polici, të cilat ishin bërë të përditshme.
Vetëm disa ditë para se të fillonin bombardimet e Aleancës, në Gjilan u mbajt gjyqi i 8 shqiptarëve të akuzuar për terrorizëm dhe 7 prej tyre morën dënime të rënda.
Zyrtarët e Misionit Monitorues, të cilët asokohe ndodheshin në Kosovë dhe po përgatiteshin të tërhiqeshin për t`iu hapur rrugë bombardimeve të NATO-s, gjyqin e shqiptarëve të akuzuar për terrorizëm e kishin cilësuar një proces jo të drejtë.
Dy-tri ditë para se të fillonin goditjet e caqeve serbe nga ajri, forcat serbe i kishin shtuar aktivitetet represive ndaj popullatës civile. Serbët po i vringëllonin armët gjithandej dhe po çirreshin “kjo është Serbi”.
Më 28 mars u krye një gjuajtje ajrore nga NATO në kazermat e ushtrisë jugosllave në Gjilan. Natën ndërmjet 31 marsit dhe një prillit, Gjilani u bombardua nga Aleanca përsëri. Në mëngjesin e një prillit, pasi Aleanca kishte kryer një sulm tjetër ndaj barakave të ushtrisë jugosllave në Gjilan, serbët kishin plaçkitur e shkatërruar dyqanet e shqiptarëve, ndërsa furrat e bukës i kishin djegur. Rreth datës 4 prill, Gjilani u qëllua me granata nga fshati serb Koretishtë. Disa shtëpi u shkatërruan.
Pas sulmeve në fshatrat Llovcë e Malishevë, në prill, kolona të gjata njerëzish u panë duke u larguar nga shtëpitë e tyre. Harku i dhunës po zgjerohej. Paramilitarët me maska po hynin nëpër shtëpi. Rrjetat në fytyrë po i mbanin për të mos u identifikuar, meqë mjaft prej tyre ishin serbë lokalë.
Natën ndërmjet 6 dhe 7 majit, në rrugën “Bujana”, në Gjilan, në orën 2 të natës, paramilitarët lokalë hyjnë në shtëpinë e një plake 70-vjeçare dhe i kërkojnë para. Ndoshta, të pakënaqur me shumën që morën, ata e qëlluan në stomak plakën dhe pasi ajo ra në gjunjë, e goditën edhe në dorë dhe në shpatull. Në fund e qëlluan edhe njëherë, para se të largoheshin, duke e lënë të vdekur. Djali i saj e kishte njohur njërin nga ata që kryen krimin.
Gjatë muajit maj, shumë njerëz u larguan nga qyteti. Më 30 maj, policia hyri shtëpi për shtëpi në qytet, arrestoi e torturoi. Policia kishte filluar një regjistrim të qytetarëve, të cilët gjendeshin në Gjilan dhe njerëzit filluan të frikësoheshin se po bëhej zgjedhja e atyre që duhej të likuidoheshin. Dyshime kishte shprehur edhe Departamenti Amerikan i Shtetit. Evidentimin e kishte urdhëruar kryeshefi i shërbimit sekret serb.
Ushqimet kishin mbaruar. Furrat e “shtetit” nuk ndanin bukë për shqiptarët. Edhe spitali i Gjilanit nuk i pranonte shqiptarët që kishin nevojë për trajtim. Të gjithë i konsideronin ”terroristë”.
Por, popullata sikur ishte “ambientuar” me këto rrethana dhe mbi gjysma e saj nuk i kishte braktisur shtëpitë e veta. Vetëm më 12 qershor, u pa se sa i madh ishte numri i atyre që kishin jetuar në rrethin e tmerrit për 78 ditë të tëra.