Nata 2 e FTSHM-së: Nxënësit e mjekësisë kundër FOMO-së
Vazhdon Festivali i Teatrit të Shkollave të Mesme (FTSHM) në Komunën e Gjilanit, i organizuar nga CCNO, Vepro dhe Varg e Vi, me mbështetjen financiare të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, pas memorandumit të bashkëpunimit në mes të Komunës së Gjilanit dhe Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport.
Në natën e dytë të festivalit, performuan në skenën teatrore, nxënësit e Shkollës së Mesme të Mjekësisë “Dr. Asllan Elezi”. Hapjen e natës së dytë të festivalit, e bëri Mediana Bislimi, menaxhere e FTSHM-së dhe drejtoreshë nga CCNO, bashkë me Avni Shkodrën, përgjegjësin artistik të festivalit nga Varg e Vi, duke i dhuruar edhe nga një mirënjohje zëvendësdrejtorit të Shkollës së Mjekësisë, dhe mësimdhënëses mbështetëse, Nushe Hamdiut, për mobilizimin dhe organizimin e nxënësve për prova dhe shfaqjen premierë, duke inkurajuar përfshirjen aktive në projekt.
Shfaqja e nxënësve të mjekësisë, ishte kundër FOMO-së. FOMO është një akronim ndërkombëtar, që ka gjetur shumë përdorim veçmas me rritjen e përdorimit në masë të gjerë të medieve sociale. FOMO është një shprehje e shkurtër për “Fear of Missing Out”, e cila nënkupton një ndjenjë të thellë të frikës se po humbet diçka e rëndësishme ose e veçantë që të tjerët po e përjetojnë.
Kjo fjalë është e lidhur ngushtë me zhvillimin e teknologjisë dhe shpërndarjen e mediave sociale, ku njerëzit kanë një ndjenjë më të thellë të presionit për të qenë pjesë e çdo ngjarjeje apo momenti të rëndësishëm që shfaqet në platformat e medieve sociale, ku jemi të lidhur me shokë e shoqe. Në esencë, FOMO paraqet një lloj ankthi ose stresi që shkaktohet nga dëshira e thellë për të qenë në linjë me të tjerët dhe për të mos humbur asnjë moment të rëndësishëm ose emocionues.
Njerëzit që vuajnë nga FOMO mund të ndihen të shtyrë për të marrë pjesë në shumë veprimtari ose për të ndjekur trendet e popullarizuara në media sociale, edhe nëse kjo nuk është e përshtatshme për ta, ose kur nuk arrijnë të gjejnë mundësi e kohë të jenë çdoherë ku të tjerët janë. Kjo mund të shkaktojë stres dhe tension të panevojshëm, duke ndikuar në vetëvlerësimin dhe shëndetin emocional.
Shfaqja me titullin “FOMO” ishte një lojë mbizotëruese skenike, me pak tekst e përmbajtje, por që përçonte mesazhe të shumta, njëkohësisht. Katër aktore me gjysmëmaska të bardha mbi hundë e përpjetë simbolizonin konformizmin social, obediencën, presionin social, modën, trendin, “in”-in dhe një aktor me gjysmëmaskë të zezë që përfaqësonte individualitetin, unikalitetin, sjelljen moskonformiste. Për një çast, nga presioni i FOMO-së, individi humbi individualitetin, lirinë, vullnetin personal, dëshirat e tij të veçanta dhe u konformua me grupin shoqëror, shoqërinë, klasën, bashkëmoshatarët, duke lotuar për momentin e humbjes së veçantisë së tij, duke e bartur gjysmëmaskën e zezë, sikur e vajton, mallëngjehet, mërzitet.
Shfaqja arriti të përçojë mesazhin e fuqishëm kundër FOMO-së, që ne nuk duhet të humbim çastet tona të zakonshme, duke imagjinuar rrejshëm “çastet e jashtëzakonshme” të të tjerëve. Nuk duhet patjetër të ndjekim modën dhe atë që të tjerët bëjnë. Në një skenë ku individi luan pianon, është çasti kur fiton betejën me presionin social, trendin dhe modën, por më pas, i nënshtrohet grupit, presionit social, modës dhe FOMO-së. Është një skenë tejet kreative, atraktive dhe e veçantë, ku luhet në mënyrë mjaft profesionale nga nxënësit e Shkollës së Mjekësisë, sikur të kishin përvojë të gjatë në teatër, me lëvizje të koordinuara shumë mirë, me vallëzim kolektiv e në sinkron, me diksion, interpretim, monologë e dialogë të zhvilluar mjaft mirë nga nxënësit-aktorë si: Blerona Halili, Arlinda Dauti, Olina Hajdini, Fatlume Selimi dhe Rozaf Ramizi. Vajzat, Blerona, Arlinda, Olina dhe Fatlumja, me gjysmëmaska të bardha personifikonin shkëlqyeshëm modën, trendin, presionin social e grupor, konformizmin social, FOMO-në, kurse nxënësi, Rozafi, me gjysmëmaskën e zezë, individin, individualitetin, luftëtarin kundër FOMO-së.
Shfaqja u bë nën regjinë e Natyrë Kallabës, me asistencë të Ekrem Sopit dhe Avni Shkodrës, tekst të Avni Rudakut, skenografi të Din Azizit dhe kostumografi të Leudita Hyseni.
Festivali vazhdon nesër në Teatrin e qytetit në Gjilan, në ora 19:00, me shfaqjen “S’je i denjë, zëvendësohesh”, nga nxënësit-aktorë të Shkollës së Mesme Teknike “Mehmet Isai”; shfaqjen “Muzikë dhe shaka” nga nxënësit-aktorë të Shkollës së Mesme Ekonomike “Marin Barleti”; dhe shfaqjen “Prindi efikas” nga nxënësit-aktorë të Shkollës së Mesme të Agrobiznesit dhe Teknologjisë, në regjinë e Florent Salihut.