Pas agjërimit të muajit të shenjtë të Ramazanit, shqiptarët e përkatësisë fetare islame nga Komuna e Gjilanit, kanë falur namazin e Fiter Bajramit, gjithandej nëpër xhamitë e kësaj komuneje.
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës në Gjilan, Naim Aliu, ka thënë se edhe më tutje duhet të mbizotërojnë: Paqja, harmonia dhe solidariteti mes njerëzve.
“Gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit ishte një solidaritet i jashtëzakonshëm, sepse janë ndihmuar shumë familje skamnore, fëmijë jetim dhe familje me nevojë”, ka thënë Aliu.
Ai ka apeluar për harmoni dhe solidaritet mes njerëzve, duke vu në pah paqen dhe jetën humane, gjë për të cilat ka thënë se na mëson feja islame.
Pas faljes së namazit, si rëndom, ka filluar festimi i Festës së Fiter Bajramit, për të vazhduar edhe ditëve tjera, për aq sa zgjatë kjo festë. Siç dihet, shkuarjet dhe ardhjet për Festën e Fiter Bajramit, janë të zakonshme, mes familjarëve, të afërmve, miqve e dashamirësve etj.