(Botime të reja – Edituar nga Shtëpia botuese “BEQIR MUSLIU”, 2015 )
Nexhat Rexha
/2L ONLINE/ – Vëllimi poetik “Vezullimë thinjash”i Naim Fetajt’ është libri i tretë, që vjen me vargjet e gdhendura e plot gjallëri, për të thënat e të pathënat e kësaj periudhe kohore, kur jeta jeton dhembjen e dashurinë. Në bredhjet e ditëve të gjata, e netëve te pagjuma, autorin e kanë ndjekur; shqetësimet, mallëngjimet, dhembjet, dashuritë e prekura tinëzisht, si dhe nuk e kanë lënë rehat edhe marrëzitë e krismat me jehonën e absurditetit.
Poezia e Naimit në brendi ka të përbiruara edhe vogëlsinë intime, që i numëron reshjet e shiut të vendlindjes në të gjitha stinët, ajo vjen si përjetim nga kurbeti me mallin e dashurinë, si flladitje e tokës për të shtuar begatinë e bukuritë atdheut.
Nëpër këto përvijime artistike, vargu i poezisë sa vjen e merr kuptimin sa racional, po aq edhe shënon e saktëson dokumentaritetin e ngjarjeve me të cilat ka jetuar e bashkëjetuar Naimi, në shkrirjen e mallit për dashurinë që ndjen në të gjitha ecjet e tija.
Kend nuk e kanë ndjekur frymëmarrjet e vendlindjes me të gjitha të mirat, e të këqijat, që mund të mbeten si pjesë e kujtesës në jetë, ato janë ruajtur me kujdes e dashuri edhe te Naimi, e si të tilla ato të japin e të marrin imazhin, pastaj të japin kënaqësinë e leximit, të përjetimit më poetik e shpirtëror .
Në këto depërtime e ruajtje aktualitetesh, poezia e këtij vëllimi artikulon e brumos vargun e tij në cilësi e kreativitet, për të dhënë qëllimin, idenë e mesazhin konkretizues në harmonizimin e realizmit sa më origjinal të tërësisë poetike. /2L ONLINE/