Nagip Arifi, kryetar i Bujanocit, është pezulluar nga puna si profesor në Universitetin Publik të Gjilanit, pas një shkrimi të publikuar në gazetën Tribuna, kur tregohej për punësimin e Arifit, ndonëse ai nuk kishte nostrifikuar doktoraturën.
Burimet e gazetës kanë thënë se Arifi kishte mashtruar udhëheqësit e Universitetit të Gjilanit, duke deklaruar se masterin e ka të përfunduar në Universitetin e Prishtinës kurse diplomën e doktoraturës e ka në proces të nostrifikimit në Ministri të Arsimit.
“Pas publikimit të artikullit në gazetën Tribuna, udhëheqësit e Universitetit të Gjilanit e kanë kuptuar se ai nuk e ka mbaruar masterin në Universitetin e Prishtinës. Kur është kuptuar kjo, Arifi, menjëherë është larguar nga puna”, ka thënë burimi i gazetës. Sipas tij, udhëheqësit e Universitetit të Gjilanit, ia kishin ndarë Arifit orët në mirëbesim, ndonëse diploma e tij nuk është as në proces të nostrifikimit. “Qëllimi ka qenë që të përkrahen njerëzit e Luginës së Preshevës”, ka thënë një burim për gazetën “Tribuna”, sipas të cilit, Arifi e ka keqpërdorur këtë mirësi të treguar ndaj tij.
Arben Dërmaku, u.d. i detyrës së rektorit, në Universitetin Publik të Gjilanit, ka thënë se në ditët në vijim do të deklarohen më hollësisht për këtë gjë. “Përgjigjja jonë për situatën e krijuar është në përputhje me kohën kur po deklarojmë, prandaj pas fakteve shtesë do të kemi qëndrimin suplementar lidhur me qëndrimin tonë të ardhshëm. Menaxhmenti i Universitetit Publik të Gjilanit ka reaguar në bazë të situatës së krijuar, duke pezulluar aktivitetin e ligjërimit të profesorit deri në zgjidhjen përfundimtare të problemit aktual”, ka thënë Dermaku. Arifi në UPGJ ka ligjëruar lëndën “Historia e Shtetit dhe së drejtës”.
Nagip Arifi nuk i ka mbaruar studimet pasuniversitare në Prishtinë. Ai në vitin 2008, u regjistrua në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës në studimet posdiplomike. Në qershor 2010 mbrojti temën e magjistraturës “Delikuenca e të miturve në Republikën e Serbisë”. Me këtë temë, Arifi edhe mori titullin Magjistër i shkencave juridike. Pak muaj pas marrjes së këtij titulli, në dhjetor të vitit 2010, Arifi është regjistruar në studimet e doktoraturës në Universitetin Ndërkombëtar të Novi Pazarit. Në tetor 2012, Arifi ka mbrojtur në këtë universitet, titullin doktor i shkencave. Të premten gazeta ka tentuar të kontaktojë me Nagip Arifin, por një gjë e tillë ishte e pamundur, pasi që ai nuk e ka hapur telefonin. Kurse, Arbër Morina, shef i kabinetit të Ministrit të Arsimit, ka thënë se Universiteti merret me pranimin e stafit, e jo MASHT-i. “Është kompetencë e UPGJ-së, për rekrutimin e stafit, për nënshkrimin apo mosvazhdimin e kontratave. Gjithashtu është përgjegjësi e tyre që gjatë rekrutimit të stafit t’i verifikojnë të gjitha dokumentet që kërkohen me konkurs”, ka thënë ai.