Myftiu i Bashkësisë Islame për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Nexhmedin ef. Saqipi, të hënën e 27 prillit, qëndroi për një vizitë me karakter pune në Ambasadën e Turqisë në Beograd.
Gjatë takimit me ambasadorin Mehmet Kemal Bozaj, Myftiu Saqipi, e njoftoi nikoqirin lidhur me zhvillimet politike dhe ekonomike në rajonin e Luginës së Preshevës, me theks të veçantë në fushën e veprimtarisë së jetës fetare në Serbi.
Gjithashtu ambasadori, Mehmet Kemal Bozaj u njoftua për aktivitetet e Bashkësisë Islame për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë dhe rolin e saj pozitiv për zhvillimin dhe afirmimin e organizimit institucional të veprimtarive fetare në rajon.
“Temë diskutimi ishte edhe çështja e arsimit fetar nëpër shkolla me mësim në gjuhën shqipe, pastaj rregullimi me ligj i statusit pensional i imamëve dhe shumë probleme të tjera me të cilat po ballafaqohet komuniteti mysliman në Luginë, Sanxhak dhe Serbi. Gjithashtu u fol edhe për procesin e zgjedhjeve në kreun e Bashkësisë Islame në Serbi dhe kontributin, që po e jep BIPMB-ja në këtë drejtim”, thuhet në kumtesën e lëshuar nga BIPBM, transmeton Titulli.
Sipas kësaj kumtese bashkëbiseduesit e takimit u dakorduan për një bashkëpunim më të shpeshtuar ne mes këtij institucioni të lartë fetar dhe Ambasadës së Turqisë në Beograd.