Muzeu Rajonal i Gjilanit po vazhdon të vizitohet nga nxënës të shkollave fillore, tani së fundi edhe nga ata të komunës së Dardanës, Prishtinës e Gjilanit, ka bërë të ditur zyrtari i QRTK-së, Ismet Tafili.
Ai tha se pas shkollës së Roganës (Rogoçicës) e të Dardanës (Kamenicës), muzeun e vizituan edhe nxënësit e klasave të VIII dhe IX të shkollës fillore “Pjetër Bogdani” nga Prishtina si dhe nxënësit e klasave të II- III dhe IV të shkollës fillore “Bajram Curri” nga Shurdhani të komunës së Gjilanit.
“Ishte kënaqësi dhe emocion kur sheh se gjeneratat e reja janë të interesuara të shohin e të njihen me të kaluarën tonë, me historinë e kulturën e të parëve tanë. Nëpërmes artefakteve që gjenden në muzeun e Gjilanit, e që janë mjaftë shumë e nga të gjitha komunat e Anamoravës, këta nxënës u njoftuan edhe me mënyrën e jetesës, punimin dhe përdorimin e veglave të ndryshme nga argjila, druri e bronzi, bakri, hekuri…”, thotë Tafili.
Artefaktet apo eksponatet e ekspozuara në Muzeun Rajonal të Gjilanit janë të periudhave të ndryshme historike nga ajo e kohës së gurit e deri te periudha e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Nxënësit e shkollës “Pjetër Bogdani” nga Prishtina dhe të shkollës “Bajram Curri” nga Shurdhani mbetën të kënaqur me vlerat e trashëgimisë kulturore të këtij rajoni. Përndryshe disa nxënës, fillorist nga Shurdhani në hapësirat e muzeut recituan edhe vjersha për Idriz Seferin, Agim Ramadanin, flamurin kombëtar…”, ka thënë Tafili.