Kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, deklaratat e kryeministrit të Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe zëvendëskryeministrit Ivica Daçiq, i vlerëson si kërcënim ndaj shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.
Mustafa thotë se këto deklarata janë kërcënim ndaj popullatës që jeton në këtë rajon.
“Ishin deklarata kërcënuese të kryeministri Vuçiq dhe zëvendëskryeministrit Daçiq, të cilët deklarojnë që në momentin kohor që do të ketë ngjarje të ngjashme të konfliktin të armatosur në Luginë të Preshevës, ata do të tregojnë, mbase, pamëshirshmërinë edhe më të theksuar se që ishte në Maqedoni, duke shtypur shqiptarët”, tha të martën kryetari Mustafa për portalin informativ Titulli.com.
Kryetari i Preshevës deklarimet e kësaj qeverie thotë se janë të njohura si në vitet e 90-ta.
“Nuk kemi një qeveri tjetër përveç pasqyrimit të plotë të përbërjes së qeverisë të viteve të 90-ta që shkaktoi një varg luftërash në të gjitha ish republikat e Jugosllavisë”.
Mustafa tha se shqiptarët e Luginës së Preshevës do të kenë kujdesin maksimal, si politikë dhe si qytetarë, që të mos vijë deri te një eksod i pamëshirshëm, që siç tha i pari i kësaj komune, “do ta realizonte me projektet e saja qeveria Vuçiq e Daçiq”.
Ai theksoi se gjatë kësaj kohe të konfliktit në Kumanovë, shqiptarët e Luginës kanë qëndruar shumë gjakftohtë duke pasur kujdes, duke mos paraqitur panikë.
Ndërsa, duke folur për rastin e Kumanovës, kryetari i partisë Unioni Demokratik Shqiptar (UDSH) me seli në Preshevë, Rahmi Zulfiu, thotë se ka ndjekur nga afër ngjarjet, kurse thekson se shqiptarët gjithmonë po merren në konotacion negativ dhe asnjëherë pozitiv.
“Dyshohet se rasti i Kumanovës është një inskenim nga vet pushteti aktual në Republikën e Maqedonisë për ti mbulu të gjithë marifetllëqet e zbuluara në aferën e përgjimeve që e kanë bërë ndaj qytetarëve dhe ndaj individëve”, u shpreh Zulfiu.
Ai shtroi edhe pyetjen se sa po i ndihmojnë shqiptarët këtyre rasteve, duke nënvizuar se pësuesit nuk kanë faj, apo nuk janë pjesë e këtyre rasteve.
“Në Preshevë kemi disa familje të ardhura nga ajo pjesë. Për ne janë të mirëseardhura pasi kemi kapacitete t’i pranojmë, por është dhimbshme atë që e kanë fituar me dekada, kur të kthehen do ta gjejnë të shkatërruar”, u shpreh kryetari i UDSH-së, Rahmi Zulfiu.
Përndryshe, situata në Luginë të Preshevës është e qet. Në afërsi të brezit kufitar me Maqedoninë dhe Kosovën ka shtim të njësive speciale e ushtarake, të cilat jo rrallë shihen edhe në vendbanimet shqiptare të këtij rajoni.
http://titulli.com/index.php?m=post&s=12558