Kryeministri i vendit Isa Mustafa, zëvendës kryeministri Ramiz Kelmendi, Ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës(MFSK), Haki Demolli , kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, kanë qëndruar sot në Kazermën “NewBorn’’ të Batalionit të Parë të Reagimit të Shpejtë të FSK-së në Gjilan.
Fillimisht, kryeministri Mustafa me bashkëpunëtorë zhvilloi një takim të përbashkët me ministrin e FSK-së, Haki Demolli, drejtorin e Drejtorisë për Operacione në MFSK, gjeneral brigade Zymer Halimi, zëvendës komandantin e Forcave Tokësore të FSK-së, gjeneral brigade Gëzim Hazrollin, komandantin e Brigadës për Reagim të Shpejtë(BRSH), kolonel Xhevahir Gecin si dhe komandantin e Batalionit të parë të Reagimit të Shpejtë(Bat.1 RSH), nënkolonel Haki Xhemajlin.
Me këtë rast, komandanti i Batalionit të parë të Reagimit të Shpejtë, nënkolonel Haki Xhemajli para kryeministrit Mustafa dhe Ministrit Demolli prezantoi misionin, detyrat dhe aktivitetet e njësisë që komandon, ndërsa në vazhdim kompanitë e Batalionit demonstruan praktikisht disa prej shkathtësive dhe pajisjeve personale dhe kolektive të njësisë.
Pas vizitës së pikave të demonstrimit të pjesëtarëve të Bat 1 të RSH, ministri Haki Demolli e njoftoi kryeministrin Mustafa dhe delegacionin e tij mbi të arriturat dhe sukseset e Ministrisë së FSK-së dhe FSK-së në veçanti gjatë vitit 2016, dhe po ashtu shfrytëzoi rastin që ta falënderoi Kryeministrin për shkresën të cilën të cilën ia kishte dërguar kohë më parë NATO-s, për të cilën gjatë këtyre ditëve, shtoi Ministri: ,,kemi marrë një përgjigje pozitive e cila përgjigje hap rrugën për intensifikimin e bashkëpunimit në mes të FSK-së dhe NATO-s në përgjithësi’’.
Më tej, ministri i FSK-së, Haki Demolli tha se shpreson që ky bashkëpunim dhe ky intensifikim i bashkëpunimit FSK-NATO do të jetë një hap më tutje në përgatitjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcë të Armatosur të Kosovës, kuptohet duke tregu siç tha Ministri ,,se ne edhe tani jemi të gatshëm për transformim vetëm se jemi duke pritur vendimin politik të Kuvendit të Republikës së Kosovës’’.
Në vizitën e tij, në Kazermën e FSK-së në Gjilan, Kryeministri Isa Mustafa i shprehu Ministrit Demolli dhe krerëve të FSK-së mirënjohjen për një punë dhe angazhim të përkushtuar i cili po tregohet i suksesshëm si në vend ashtu edhe jashtë në arenën ndërkombëtare.
Më tej, i pari i Qeverisë, zotëri Mustafa u shpreh se: ,,mund të ju them se si Kryeministër jam tepër i kënaqur kur shoh Forcën e Sigurisë në një gjendje të tillë gatishmërie, të përgatitjes, disiplinës, njerëz të arsimuar shkëlqyeshëm në qendrat botërore, të rinj të cilët kanë arritur rezultate të mrekullueshme në çdo vend ku kanë qenë në shkollim, trajnim, gara të ndryshme’’ duke theksuar se FSK-ja e ka përkrahjen e plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Gjithashtu, Kryeministri Mustafa tha se: ,,FSK-ja është një forcë e cila çdo minutë, çdo sekondë është e gatshme të shndërrohet ose transformohet në Ushtri të Kosovës, përkatësisht në Forcë të Armatosur të Kosovës dhe mbetet vetëm vendimmarrja politike të cilën duhet të miratohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Në fund, Kryeministri Isa Mustafa shtoi: ,,duhet të kemi përkrahje, transformimi është në interes të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, edhe të popullatës jo shumicë, veçmas kur kemi rreth 17 % të këtij Batalioni pjesëtarë nga popullsia jo shumicë, 10 % nga komuniteti serb dhe 7 % nga komunitetet tjera’’. Kjo flet, për një interesim të komuniteteve për tu bërë pjesë e FSK-së dhe nesër pjesë e Forcës së Armatosur të Kosovës. Prandaj me këtë rast shpreh kënaqësinë time edhe ti uroj oficerët për një punë të mrekullueshme dhe gjithë pjesëtarët e FSK-së si dhe të shpreh përkrahjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, tha Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Isa Mustafa.