Gjilan – (2LONLINE) – Kryetari i Komunës së Gjilanit Qemajl Mustafa i shoqëruar nga drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Veton Nevzadi dhe nga ai i shëndetësisë Xhemajl Salihu, ka pritur në një takim pune sportistin e dëshmuar tashmë në sportin e boksit, Liridon Zeqirin.
Mustafa ka thënë se deri më tani sportin e kemi trajtuar me kujdesshëm dhe me sinqeritet, duke investuar në forma të ndryshme edhe pse ato asnjëherë nuk janë të kënaqshme, as për ne si Komunë por as për juve si sportistë. “E rëndësishme është që asnjëherë nuk jam dorëzuar as unë si i pari i Komunës, që edhe nëse nuk kemi mund të sigurojmë mjetet e duhura, kemi bashkëpunuar edhe me donator dhe ia kemi dal, por edhe për të ardhmen trajtimin për sportin, kulturën dhe rinin do ta kemi edhe më mirë. Ju korrni suksese dhe ne do t’u rrimë gjithnjë prapa me mundësit që kemi për t’u ndihmuar” ka thënë Mustafa.
Ai tha se ndihet i nderuar që pret Zeqirin një djalë me shumë suksese të treguara deri më tani në sportin e boksit dhe i uroi edhe shumë suksese të tjera, për të shtuar se bashkërisht po ngritim sportin siç edhe bashkërisht po krenohemi me suksese në shumë fusha.
“Si djalë inteligjent Liridonin unë pas disa vitesh e shoh si njeri të rëndësishëm për vendin e tij, krahas Majlinda Kelmendit, Rita Orës, Arta Dobroshit etj, sporti është ambasador i vendit, dhe jo postet politike. Sytë e botës një ditë do të drejtohen kah ti dhe kah Kosova, sepse përkushtimi yt është majat e kampionateve dhe me inteligjencën që ke edhe do të arrish atje. Unë gjithnjë kam mbështetur projekte që janë në të mirën e qytetit dhe qytetarëve, pavarësisht se nga kush kanë ardhur ato. Do ta mbështesim edhe Liridonin në ditët në vijim sikur që i kemi qëndruar pran deri më tani”,, ka thënë Mustafa.
Elhami Bajrami, trajner, ka thënë se Liridoni është një talent i Gjilanit, që boksin e ka prioritet të zhvillimit dhe ngritjes së tij krahas edhe shteteve tjera. Ai tha se kanë ndodhur të arritura të shumta në sport për çka e ka falënderuar kryetarin Mustafa, sikurse që ka kërkuar që kështu por edhe më mirë të vazhdohet edhe më tutje nga ana e Komunës, sepse siç ka thënë Bajrami sporti ka nevojë për mbështetje.
Ndërsa, Liridon Zeqiri, boksier i ri Gjilanas, e ka informuar kryetarin me sukseset që kishte nëpër kampionate të ndryshme vendore, rajonale dhe ndërkombëtare. Ai e informoi se së fundmi u shpall edhe Boksieri më i mirë në turneun Ndërkombëtar në Sarajevë të Bosnjës, ndërsa që nga nesër Zeqiri do të udhëtoj për në Shqipëri për të bërë stërvitje për të marrë pjesë në kampionatin botëror në Kazakistan, ku do ta përfaqësoj Kosovën dhe Gjilanin në kategorinë e lehtë. /2lonline/