Lideri i LDK-së, Isa Mustafa në një postim në “Facebook” ka paralajmëruar Gjykatën Kushtetuese që të mos bëjë ndonjë aktgjykim si në rastin e interpretimit të çështjes së mandatit të Presidentes Jahjaga, kur u tha se ajo do të jetë në detyrë deri më 2016. Mustafa ka kritikuar Presidenten edhe për vendimin e saj për të dërguar në Gjykatë, çështjen e mandatarit për formimin e qeverisë.
“Kushtetuta e Republikës së Kosovës është e qartë për gjithë ata që duan ta kenë të qartë jetën demokratike. Qeverinë e themelon ai që e arrin shumicën në Kuvend. Këtë shumicë nuk e ka fituar në mënyrë të veçantë asnjë subjekt gjatë zgjedhjeve. Qytetarët kanë vendosur se si do ta votojnë çdo subjekt politik (apo koalicioni parazgjedhor) dhe çdo kandidat për deputet, kurse koalicionet ndërmjet partive politike , mbi bazën e votave dhe besimit që e kanë marrë nga qytetarët, po vendosin se kush do ta qeverisë vendin. Asgjë nuk po vendoset jashtë fuqisë së votës. Prandaj edhe Presidentja e vendit duhet ta ketë të qartë Kushtetutën ashtu siç e kemi të gjithë ne. Kushtetuta jonë nuk është rast i veçantë kundrejt kushtetutave të vendeve të tjera demokratike dhe praktikave të njohura nga vendet evropiane. Shpresoj se Gjykata Kushtetuese nuk do ta interpretojë, edhe kësaj radhe, Kushtetutën si në rastin e Presidentes dhe të na tregoj se ‘çfarë pret populli’”, ka shkruar Mustafa.