Lideri i LDK-së, Isa Mustafa përmes një postimi në Facebook ka thënë se koalicioni LDK, AAK dhe Nisma nuk do të prishet, por vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje.
“Dhe prap do të fitojmë. LDK, AAK dhe Nisma kanë përkrahjen e shumicës së deputetëve në Kuvendin e Kosovës. PDK me partitë e koalicionit nuk ka dëshmuar se e ka shumicën, dhe ajo do ta shfrytëzoj rastin edhe në Seancën e 12 Shtatorit të provojë ta dëshmojë këtë. Nëse dikush mendon se deputetët janë të detyruar të votojnë vetëm për kandidatin e PDK-së , atëherë në Kosovë ka mbaruar demokracia”, ka shkruar Mustafa.
Por sipas tij, në bazë të rrethanave që janë krijuar, nuk është e befasishme që Gjykata Kushtetuese të zgjedh vet Kryetarin e Kuvendit.
“Por si po sillen gjërat nuk është e papritur që Gjykata Kushtetuese, ta merr rolin e ajatollahut, ta zgjedh Kryetarin e Kuvendit dhe ta shpallin veten organ supreme në Kosovë”, ka shkruar Mustafa.