Kryeministri Isa Mustafës, i ka ardhur mirë që ministri nga radhët e komunitetit serb Aleksandër Jabllanoviq, ka tërhequr fjalët pasi dy ditë më parë protestuesit në Gjakovë i quajti egërsira.
Kreu i ekzekutivit theksoi se askush nuk guxon të quaj qytetarët egërsira, pavarësisht mendimit të tyre të drejt apo të padrejtë.
“Unë dëgjova sot një reagim të tij se ai në një formë është tërhequr nga ajo sepse nuk ka pasur informata të mjaftueshme dhe s’e ka menduar atë që e ka thënë dhe me vjen mirë që ai vet është tërhequr sepse nuk guxon të quhen të egër njerëzit të cilët shprehin mendimet e tyre, nëse është e arsyeshme apo nuk është. Unë mendoj se gjera të tilla nuk duhet të ndodhin, veçmas nga ata që janë përgjegjës të pozitave publike dhe do të kujdesemi që maksimalisht të përmbahemi nga kjo”, tha Mustafa.
Të mërkurën Ministri për Kthim dhe Komunitete, Aleksandër Jabllanoviq i quajti egërsira protestuesit në Gjakovë, të cilët nuk kanë lënë një autobus me serb që të futën në kishën e këtij qyteti për t’i kryer ritet fetare për krishtlindjen ortodokse.
Ndërkohë, kundër deklaratave të Jabllanoviqit, nesër në Gjakovë do të mbahet edhe një protestë, duke filluar nga ora 14:00.
http://www.rtklive.com/?id=2&r=16518