Lideri i Lëvizjes së Progresit Demokratik (LPD) Jonuz Musliu, njëherit kryetar i Kuvendi Komunal të Bujanocit, ka vlerësuar sot se i ndjeri Reshat Bajrami, që ishte në paraburgim në Vranjë për shkak të dyshimit se ishte bashkudhëtar në makinën e përfshirë në aksidentimin e policit, në të vërtet është vrarë në qeli.
Musliu për agjencinë Beta tha se liderët shqiptarë të Luginës kërkojnë që të hetohet “vrasja e Reshat Bajramit në burg të Vranjës që është incidenti i fundit i radhës që ka goditur shqiptarët që jetojnë në Bujanoc dhe Preshevë”, transmeton Titulli.
Kryetari i LPD-së tha se Reshat Bajrami në burg ka hyrë i shëndosh.
Sipas fjalëve të tij, vdekja e Reshat Bajramit është rasti i dytë i dyshimtë i vdekjes së burgosurve shqiptarë në burgjet serbe në disa muajt e fundit.
Dyshimet mbi vdekjen e të ndjerit së pari i ka ngritur familja Bajrami nga Tërnoci, ndërsa lidhur me këtë rast së fundmi ka reaguar edhe Bashkësia Lokale e Tërnocit.
Vlen theksuar se edhe pse është kryer obduksioni i viktimës deri në këto momente nuk është bërë publike rezultati i kësaj autopsie./Titulli.com/