Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Jonuz Musliu ka marrë pjesë në konferencën e organizuar në Beograd nga Qendra për Hulumtimin e Etnicitetit dhe Rrjeti për Interkulturalitet për “politikat e pakicave” dhe “distancës ndëretnike”.
Edhe në këtë konferencë është konstatuar se shteti nuk distribuon politika afirmative ndaj pakicave dhe se distanca më e madhe e mazhorancës së popullatës është kundrejt shqiptarëve.
Në këtë konferencë kryetari, Musliu vuri theksin në diskriminimin sistematik që po ushtrohet nga shteti kundrejt shqiptarëve, cikël i cili edhe më tej po vazhdon që nga vitet e 90-ta vetëm i modifikuar në metoda perfide, transmeton Titulli.
“Ish-ushtarët e UÇPMB-së edhe më tej arrestohen, përkundër ligjit për Amnesti të vitit 2001, edhe më tej përndjeken pa rrespektimin e normave ligjore, ende merren në biseda informative pa rrespektimin e procedurave dhe standardeve”, ka thënë Musliu gjatë diskutimit.
Ai tha se përkundër luftës që është bërë në Luginën e Preshevës për zgjedhjen e problemeve të shqiptarëve edhe më tej problemi politik i shqiptarëve nuk është zgjedhur.
“Shqiptarët e Luginës së Preshevës ende nuk gëzojnë të drejtat e siguruara me konventat ndërkombëtare dhe standardet evropiane, siç është edhe e drejta në lëvizjen e lirë. Gjithashtu, është evident diskriminimi në arsim, kulturë, informim, përdorim zyrtarë të gjuhës dhe shkrimit shqip si dhe përdorimi i lirë i simboleve kombëtare”, ka vlerësuar Musliu në Beograd.
Jonuz Musliu në fjalimin e tij ritheksoi se ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës po ushtrohet diskriminim i një faze tjetër me pasivizimin e vendbanimeve pa procedura të qarta, me ç`rast i mohohen një korpus i tërë i të drejtave duke filluar nga mohimi i shtetësisë, të drejtës në pronë etj.
Në këtë konferencë morën pjesë edhe të gjithë kryetarët e Këshillave Kombëtare të pakicave nacionale ku të gjithë së bashku me panelistët tjerë u dakorduan se dikriminimi ndaj shqiptarëve është më i theksuari.
Gjithashtu pjesëmarrësit e pakicave në Serbi me diskutimet e tyre u akorduan për të kërkuar që tekstet shkollore të mund të importohen nga shtetet amë.