“Partitë si LDK, PDK dhe AAK, të cilat tani përbëjnë shumicën në Kuvendin Komunal të Gjilanit, kanë bllokuar punën e Kuvendit për tre muaj me radhë, duke pretenduar se kërkojnë transparencë përmes transmetimeve të drejtpërdrejta. Kuvendi Komunal është bërë jofunksional për shkak të veprimeve të tyre, vetëm për të penguar proceset dhe bartjet buxhetore që ndikojnë drejtpërdrejt në projektet që tashmë janë në proces”, ka thënë Arbër Musliu, anëtar i Kuvendit Komunal të Gjilanit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Sipas tij, kjo nuk është hera e parë që ata bojkotojnë seancat dhe braktisin sallën e Kuvendit, dhe se ky veprim u përsërit edhe gjatë vitit të parë dhe të dytë të qeverisjes, dhe tani, edhe pse kanë shumicën, vazhdojnë ta bojkotojnë Kuvendin.
Musliu kujton se të njëjtit nuk e votuan as buxhetin Komunal për më shumë se katër muaj, duke rrezikuar dhe vonuar të gjitha projektet e planifikuara për vitin 2024.
“Ata po veprojnë bashkërisht, duke ndjekur një model të përsëritur për të përmbushur interesat e tyre personale në dëm të qytetarëve. Ata janë bashkuar në zgjedhje dhe tani, duke dëshmuar se gjithmonë do të jenë kundër së mirës dhe drejtësisë”, ka thënë Musliu i Vetëvendosjes.