(2L ONLINE) – ”Nisma për Kosovën”, si duket nuk e ka pasur një të nisur të mbarë në Komunën e Gjilanit ngase nga vet ata, me të cilët ishte i identifikuar nisma e kësaj “Nisme” në Gjilan, tregohen të zhgënjyer, në rend të parë për pasivitet të treguar në këtë komunë.
Musa Selimi, profesor universitar, i cili ishte në NISMA që nga fillimi dhe për më tepër, në zgjedhjet nacionale ishte edhe Shef i Shtabit Zgjedhor, si dhe kandidat për deputet të Parlamentit të Kosovës, ka bërë të ditur për Portalin 2L ONLINE, se tërhiqet nga ky subjekt politik.
“Dua të njoftojë publikun gjilanas se unë si ish shef i shtabit zgjedhor te Nisma, Dega në Gjilan, tërhiqem përfundimisht nga ky subjekt dhe anëtaresia e saj, bashkë me përfaqësuesit e dy këshillave në lagjen iliria, ish Kamnik, dhe në fshatin Bresalc. Arsyet e kësaj tërheqje janë shenjë e pakënaqësisë për mos organizim të Degës dhe neglizhencës nga ana e njerëzve që udhëheqin me këtë subjekt, për të qene më afër qytetarëve”, ka thënë Selimi për 2L ONLINE.
Ai tha se tërhiqet përfundimisht nga kjo parti, por nuk ka bërë të ditur për angazhimin e tij të mëtutjeshëm kur është në pyetje politika.
“Do të shohim më tutje për hapat e mi të mëtutjeshëm”, ka thënë Selimi, njëri prej atyre që themeluan NISMA-n në Gjilan. /2L ONLINE/