(2L ONLINE) – Drejtoria Komunale e Arsimit në Gjilan për tetë muaj të qeverisjes së re me sukses ka realizuar planin zhvillimor të arsimit, sipas dinamikës së paraparë. Kështu ka thënë sot drejtori i DKA-së, Nazmi Musa në një konferencë me gazetarë.
“Vargu i punëve të kryera në Drejtorinë e Arsimit si: regjistrimi nxënësve në klasa të para e të dhjeta, regjistrimi i parashkollorëve, organizimi i testit të arritshmërisë, organizimi i testit të maturës shtetërore, kalimi me sukses i reformës së re në arsimin kosovar, nisma dhe mbarimi i shumë projekteve kapitale si: renovimi i Gjimnazit “Zenel Hajdini” renovimi i Konviktit të Nxënësve dhe Studentëve e zyrave të DKA-së, fillimi i punës për ndërtimin e shtatë fushave sportive, renovimi, gëlqerosja, dhe furnizim i IEA sipas vlerësimit te komisionit, flasin për punë të suksesshëm që janë kryer e po kryhen nga stafi administrativ i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Gjilan dhe Qeverise komunale”, ka thënë Musa.
Drejtori Nazmi Musa ka pohuar se “ndonëse viti i ri shkollor do të fillojë sipas reformës së re, që nënkupton heqjen e klasave XIII, Drejtoria Komunale e Arsimit po e fillon mirë procesin mësimor. Kjo vije si rezultat i punës së pakursyer të stafit udhëheqës të DKA-së dhe menaxherëve të shkollave. Nga ky mekanizëm drejtues i arsimit janë bërë planifikimet me kohë të regjistrimit të nxënësve në klasë të parë të arsimit të mesëm të ulët dhe në klasë të dhjetë të arsimit të mesëm të lartë përmes konkursit publik, duke ju dhënë mundësinë të gjithë nxënësve që të konkurrojnë në shkollat dhe profesionet ku ata dëshirojnë, me kusht të përmbushjes së kritereve të regjistrimit ,sipas planifikimit të numrit të nxënësve për pranim”.
Ai tha se janë bërë ndarjet e normave mësimore dhe sistematizimi i mësimdhënësve në vendet e tyre, sipas kualifikimit dhe normativit të MASHT-it për krijimin e marrëdhënies së punës, ku me një analizë sistematike dhe mjaft të kujdesshme janë sistematizuar në vende të punës, mësimdhënësit të cilët reforma e re e arsimit mund t’i ketë lënë pa norma mësimore.
“Duke realizuar udhëzimin e MASHT-it, vendimin e kryetarit të komunës z. Lutfi Hazirit dhe të Kuvendit Komunal të Gjilanit , mbi nëntëdhjetë për qind e mësimdhënësve të shkollave të mesme janë sistemuar në vendet e tyre të punës, duke ju siguruar normë të plotë të mësimdhënies. Me gjithë angazhimin dhe përkujdesjen e DKA-së, që kjo dhembje të tejkalohet plotësisht, na vjen keq që një numër fare të vogël mësimdhënësish nuk kem arritur t’u sigurojmë norma mësimore. Megjithatë, këta mësimdhënës ,për të cilët aktualisht nuk ju siguruan vendet e punës ,do të jenë në përkujdesje të vazhdueshme të DKA-së për t’i sistemuar sa herë që të krijohen vende të lira pune”, ka thënë Musa.
Drejtori i DKA-së ka theksuar se viti i ri mësimor në komunën e Gjilanit do të fillojë edhe me një sukses të shtuar për arsimin e mesëm të lartë ngase, këtë vit fillon punën Gjimnazi i Shkencave Natyrore që do të thotë se në komunën tonë kem dy gjimnaze: Gjimnazin e Shkencave Shoqërore dhe Gjimnazin e Shkencave Natyrore.
“Me qëllim të informimit të opinionit dhe transparencës së plotë, Drejtoria Komunale e Arsimit ka shpallë konkurse si për vende të lira për mësimdhënës ashtu edhe për drejtorë dhe zëvendësdrejtor të shkollave, atje ku mandati udhëheqës i drejtorëve ju ka skaduar. Drejtoria Komunale e Arsimit gjithashtu ka publikuar konkursin për ndarje të bursave studentëve. Më këtë rast falënderojmë komisionin komunal për ndarje të bursave për punën e suksesshme, me gjithë një numri simbolik të ankesave të kandidatëve që nuk përfituan këtë të drejtë. Këto ankesa kujdesshëm u analizuan nga komisioni i ankesave i themeluar nga DKA për t’u dhënë përgjigjeje të arsyeshme dhe meritore”, ka potencuar drejtori Nazmi Musa.
“Me gjithë detyrat e menaxhimit, DKA-ja zhvilloi marrëdhënie bashkëpunimi edhe me drejtoritë tjera ne regjion: Kamenicë, Viti, Ferizaj, Kaçanik dhe Lipjan, pa lënë anash edhe bashkëpunimin me Universitetin “ Kadri Zeka” në Gjilan, Kolegjin “ Mehmet Akif” ,Kolegjin” “Hasan Nahi” Konviktin “ Sylejmania” në Gjilan” Kolegjin “ Dom Boskon” në Gjilan, GIZIN gjerman, policinë komunale për çështje të sigurisë dhe shumë organizata të shoqërisë civile. Synimet e DKA-së janë realizimi i objektivave për një arsimim bashkëkohor dhe ngritje të cilësisë, rendit dhe disiplinën në të gjitha Institucionet Edukative e Arsimore për nxënësit tanë”, ka përfunduar drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, Nazmi Musa. /2L ONLINE/