/2L ONLINE/ – Historia e ndarjes së veriut është e gjatë dhe e dhimbshme. Ajo burimin e ka tek marrëveshja e Kumanovës për tërheqjen paqësore të forcave policore dhe ushtarake serbe nga Kosova, e pasuar menjëherë me dislokimin e forcave të KFOR-it francez mbi urën e lumit Ibër. Nga ajo kohë i kaluam mbi 17 vite duke pritur, duke ëndërruar, duke kënduar e vajtuar, duke gënjyer e zhgënjyer vetveten se një ditë do të bashkohet qyteti i ëndrrave dhe kujtimeve tona rinore. Përgjatë këtyre viteve i “provuam” të gjitha mundësitë tona për të bindur (frikësuar) pushtuesin tonë verior të na lërë Mitrovicën, por kot! Atë që nuk mundi ta bëjë shumë vite më parë ylli i muzikës shqiptare, e madhja Shkurte Fejza me këngën; “Jo nuk ndahet Mitrovica”,…provuan ta bëjnë edhe liderët tonë përmes fushatave zgjedhore disa herë në vazhdimësi, përderisa zgjedhjeve të fundit as që humbën kohë të merren me Mitrovicën, shkaku i konsumimit të kësaj çështje në fjalorin e tyre politik. Po i kthehem edhe një herë mesazhit të fuqishëm që shpërndau këngëtarja jonë e mirënjohur, në vargun e saj më kulmor në këngën e saj; “pa u farue me djem e çika, jo nuk ndahet Mitrovica”. Ky varg, për më tepër se mesazh, duhej të ishte si kushtrim mbarëkombëtar, mirëpo në kohën kur u lansua kjo këngë, mesazhi i saj duket të ketë qenë pak sa i vonuar, madje do të thosha edhe shqetë- sues për “bartësit” e luftës, tashmë të akomoduar mirë nëpër institucione shtetërore, të zhytur thellë në luksin përrallor që u solli liria!
Veprimet ishin të planifikuara dhe të koordinuara nga Serbia, Rusia dhe një pjesë tjetër e bashkësisë ndërkombëtare
Një situatë e tillë e krijuar e komandantëve (varfanjak) të shndërruar në milionerë, u bë shkak për irritim dhe thyerje shpirtërore të ish -luftëtarëve të lirisë, të cilët 17 vjet nga përfundimi i luftës të vetmin shpëtim ekzistencial për familjet e tyre e shohin Ligjin (diskriminues) të aprovuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ashtu si ndarja e Mitrovicës që nuk ishte e rastësishme (e planifikuar), edhe veprimet e mëpastajme të pasluftës ishin të planifikuara dhe të koordinuara nga Serbia, Rusia dhe një pjesë tjetër e bashkësisë ndërkombëtare. Për fat të keq, ky projekt antishqiptar pati sukses ndaj njerëzve të mashtruar nga gjysmëliria që u erdhi në gjysmështetin e Kosovës. Ja vetëm një nga rezultatet; ndërtimi i mijëra xhamive në shtetin “laik”, prodhoj qindra luftëtarë të gatshëm për të vdekur në shkretëtirat arabo-aziatike…! Mbetët i pashpjegueshëm fakti, si shqiptarët me kaq lehtësi bien pre e kurtheve dhe planeve të të tjerëve,…dhe me sa vështirësi arrijnë të bashkohen rreth idealit të tyre kombëtar. Nga u vjen gjithë ai motivim shpirtëror të rinjve shqiptarë për të lënë eshtrat e tyre shkretëtirave aziatike, kur aq afër e lënë në duar të serbëve pjesën e tokës më të pasur dhe më të çmuar të atdheut të tyre – Trepçën, tokë me flori siç thotë populli, njërën ndër minierat më të pasura në Evropë dhe botë! Heronj të (vetëm) gjallë të asaj toke janë ata pak banorë shqiptarë të mbetur në pjesën veriore, që me prezencën e tyre fizike janë duke u munduar t’i dalin zot trojeve te veta stërgjyshore, përderisa liderët politikë me hipokrizi sillen ndaj tyre duke u thënë “jo nuk ndahet Mitrovica”, duke mos e bërë as hapin më të vogël politik e juridik për bashkimin e asaj pjese.
Aty përfundon sovraniteti i shtetit të Kosovës
Në anën tjetër, serbët me modifikimin (ndryshimin) e pamjes së barrikadave mbi urën e lumit Ibër, e së fundmi me ndërtimin e Murit ndarës, na rikujtojnë se aty përfundon sovraniteti i shtetit të Kosovës. Ku janë krerët shtetërorë që janë strukur në lëvozhgën e tyre dhe nuk e thonë asnjë fjalë të vetme për Murin ndarës në Veri të Mitrovicës, ku janë liderët partiakë të pozitës dhe opozitës që aq shumë zhurmë bënë për Demarkacionin me Malin e Zi. Ndoshta ky Muri ndarës është më pak i rëndësishëm për ta, në krahasim me zgjedhjet e balotazhit në Drenas, për të grabitur sadopak pushtet në këtë gjysmë shtet. E para që e “ngriti” zërin për Murin serb ishte Ministrja për Dialog, zon(jush)a Edita Tahiri, e cila e vlerësoi ngritjen e këtij muri si ilegal dhe në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit. Masat e para dhe të vetme të shtetit të Kosovës për “parandalimin dhe rrënimin” e atij muri fatkeq ishin këto; vëzhgimi nga një trup policor dhe gjoja dërgimi i inspektorëve të urbanizmit për inspektimin e lokacionit ku po zhvillohen ndërtimet. Pafuqia e shtetit tonë dhe se vërtetë situata do të mbetët e pandryshuar, u vërtetua edhe në konferencën për shtyp të kryeministrit të vendit, e datës 08.12.2016, rreth orës 11.00, i cili për Murin në veri decidivisht u shpreh kështu, po citoj; “Muri do të trajtohet sipas ligjit,…ne nuk do t’i tregojmë muskujt”! Kjo i bie që Muri ndarës do të mbetet aty ku është, i papenguar dhe i paprekur nga institucionet e shtetit të Kosovës. Ndërsa edhe më konfuz dhe i paqartë në të njëjtën konferencë për shtyp ishte ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, i cili e krahasoj Murin ndarës të shtetit tonë me “Murin fantom” të anëtarësimit të Serbisë në BE, pa njohjen e Kosovës,…duke harruar (qëllimisht) se Serbia më shumë se anë- tarësimin në BE-në e çakorduar të këtyre muajve të fundit, e do gllabërimin e territoreve të vendit tonë. Përrallat dhe premtimeve e zon(jush)ës Edita Tahiri, se barrikadat janë një “flluskë sapuni”, u ngrinë në beton dhe hekur, duke legalizuar ndarjen edhe “de facto” të Mitrovicës, pasi ajo “de jure” ka qenë e ndarë më parë në dy njësi administrative (Mitrovica e Veriut dhe Mitrovica e Jugut). Disa analistë, Murin ndarës të Mitrovicës dhe pjesës veriore të shtetit të Kosovës e krahasuan padrejtësisht me “Murin e Berlinit”, gjë e cila nuk përkon as më kohë dhe as ne realitet.
Çka pas…?
Kjo ndarje fatkeqe e territorit dhe ky bllokim i lëvizjes së lirë të njerëzve po ndodh në kohën e integrimeve evropiane e jo në kohën e ndarjeve dhe luftës së ftohtë mes dy blloqeve më të mëdha botërore. Muri ndarës në pjesën veriore, në njërën anë parqet dështimin total të palës kosovare në bisedimet e Brukselit, ndërsa në tjetrën realizimin në plotni të qëllimeve dhe aspiratave serbe ndaj Kosovës. Padyshim, veprimi i radhës i serbëve të veriut do të jetë legalizimi i “Zajednicës” dhe organizimi i Referendumit për ndarjen përfundimtare të veriut të vendit nga Kosova. Përmes akteve pasuese, do të ndodhë edhe zhvendosja e kufirit nga Jarinja në veri të Mitrovicës. Mbase ndokush mund të mos pajtohet me konstatimin tim, por realiteti po e dëshmon se veriu i vendit është shndërruar në “Mollë të ndaluar” për qeveritarët tonë. Mbase atëherë, pushtetarët e Prishtinës do ta kenë më lehtë të bëjnë matjen e kufirit me Serbinë se sa me Malin e Zi. /2L ONLINE/