(2LONLINE) – Mospajtimet dhe polarizimet mes përfaqësuesve të ndryshëm të Këshillave të Veprimit Rinor Lokale e Qendror, dita ditës po dalin më shumë në sipërfaqe, duke i nxjerrë kështu në shesh edhe problemet që i kanë, në veçanti edhe sa i përket legjitimitetit. Ditë më parë, në redaksinë e 2Lonline erdhi një shkresë nga Meriton Ahmeti që si përfaqësues i KVRL-së në Gjilan deklaronte se Këshillat e veprimeve Rinore te Anamoravës ( Gjilan, Viti, Kamenice, Partesh, Ranillug, Kllokot) njëzëri kanë vendosur të dalin kundër Kryetarit të KQVR-se Murat Muratit për arsye të mosfunksionimit ne mënyrë të rregullt të këtij këshilli dhe inkuadrimin direkt në politikë.
Për më tepër shih shkrimin: Kundër Muratit!
Pas kësaj, ka reaguar Valdrin Halimi, kryetar i KVRL-së Gjilan i cili ka thënë per 2Lonline se KVRL në Gjilan distancohet nga çfarëdo iniciative e marrë për shkarkimin e Kryetarit të Këshillit Qendror të Veprimit Rinor, z. Murat Murati, Duke iu referuar deklaratave të Meriton Ahmetit, kryetari Halimi ka thënë se persona të vetëquajtur si përfaqësues të KVRL – Gjilan kanë nënshkruar një peticion për shkarkimin e Kryetarit të KQVR-së, të cilën e kontestojnë dhe nuk e pranojnë në asnjë mënyrë.
Për më tepër shih shkrimin: Pro Muratit!
E tani së fundi u deklarua për këtë çështje edhe vet Murat Murati, kryetar i KQVR-së
Murati ka pohuar për 2Lonline se i ka parë prononcimet e një pjese të anëtarëve të bordit të Këshillit Qendror të Veprimit Rinor të Republikës së Kosovës dhe disa Këshilla të Veprimit Rinore Lokale, ku kërkohej dorëheqja e tij nga pozita e Kryetarit te KQVR-se, por se gjatë kësaj kohe heshti për të pritur të dalin në skenë ata që nga prapaskena i inicuan këto kërkesa për dorëheqjen e tij dhe se ata tashme janë aktivizuar dhe me këtë heshtja e tij ka përfunduar.
“Unë do të vazhdoje të jem kryetar i KQVR-së, ngase gjatë ditës së sotme më kanë rikonfirmuar mbështetjen, shumica e delegatëve të Kuvendit të përgjithshëm të KQVR-së. Është për t’u habitur se si disa kolegë të mi, kanë ra pre e politikave ditore, dhe kërkojnë tërheqjen e njohjes së KQVR-së nga MKRS (kjo i bije si të kërkojnë partitë opozitare në Kosovë që nëse qeveria nuk jep dorëheqje, Bashkësia ndërkombëtare mos ta njoh Kosovën si shtet), por duhet të keni parasysh që ka djem dhe vajza qe do ta mbrojnë Njohjen e KQVR-së, në të gjitha format e mundshme ligjore”, ka thënë Murati.
Ai tha se i bënë thirrje publike Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit që të mos interferohen në punët e brendshme të Këshillit Qendror të Veprimit Rinor të Republikës së Kosovës, por të mbështesë këtë Këshill, në bazë të Ligjit për Fuqizim dhe Pjesëmarrje te Rinisë, Udhëzimit Administrativ për funksionimin e KQVR-së si dhe strategjisë kosovare dhe planit të veprimit për rini 2013-2015”,
Murati shtoi se do ti lus të gjithë kolegët e tij që ti lënë anash ndikimet e qarqeve të caktuara politike e edhe personale dhe së bashku të vazhdojnë punën për avancimin e pozitës së rinisë në vendin tonë. /2lonline/