Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe “HANDIKOS” nënshkruanë Marrëveshje Bashkëpunimi, e cila në vete ngërthen mbështetjen e të dy ministrive për “HANDIKOS”, në hapjen e punishtes për prodhimin dhe montimin e karrocave për personat me aftësi të kufizuara.
Zëvendësministri i Shëndetësisë Izet Sadiku, me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes tha se “jemi në mesin e njerëzve me “zemra të mëdha”, të cilët mundësuan realizimin e një projekti të qëlluar dhe të nevojshëm për personat me aftësi të kufizuara, i cili projekt mundëson që kjo kategori njerëzish të inkurperohen në shoqëri dhe të kontribuojnë për vendin e tyre”.
“Institucionet e vendit në vazhdimësi kanë punuar për krijimin e kushteve më të mira për këtë kategori, derisa, mendoj se ky është një prej projekteve më të qëlluara, ngase, punishtja për prodhimin dhe montimin e karrocave i ndihmon vetë personat me aftësi të kufizuara të vendit tonë, të ndjehen kontribut-dhënës dhe të barabartë në mesin e shoqërisë”, tha Zëvendësministri Sadiku.
Zëvendësministri Sadiku shtoi se “puna e shoqatës “HANDIKOS”, është për t’u vlerësuar, dhe ne ju jemi falënderues për të gjithë angazhimin tuaj që po bëni në mbështetje të personave me aftësi të kufizuara”.
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Arban Abrashi, tha se realizimi i këtij projekti është rezultat i njerëzve të mirë i cili është e pamatshme me vlerë monetare”.
Drejtori i “HANDIKOS”-it, z. Afrim Maliqi tha se “HANDIKOS” ju del në ndihmë personave me aftësi të kufizuara kudo që janë ata, përfshirë edhe në institucione rehabilituese dhe se me realizimin e këtij projekti ju keni dhënë një mbështetje të madhe jo vetëm për personat me aftësi të kufizuara por, për gjithë shoqërinë.
“Dhe tashmë me Marrëveshjen e nënshkruar në mes MSh, MPMS dhe “HANDIKOS”, qëndrueshmëria e punishtes është në duart e institucioneve tona, e cila si ide ka lindur qysh para dy viteve si nevojë për përmbushjen e nevojave të fëmijëve tanë, duke bërë të mundshme sigurimin e karrocave të përshtatshme për ta”, tha z. Maliqi.
Ai ka falënderuar z. Wayne Hadson (Fabrika e karrocave -ROC Wheels) dhe z. Steve Doty “DirectConnect” nga SHBA, për mbështetjen që kanë dhënë në realizimin e këtij projekti.
Ata kanë shprehur kënaqësinë e tyre për mundësinë që kanë pasur në ofrimin e ndihmës për të realizuar këtë projekt.
Marrëveshja ka për qëllim financimin e projektit për krijimin e mundësive për hapjen e punishtes së karrocave me anë të së cilës personat me aftësi të kufizuar në veçanti fëmijët do të pajisen me karroca të përshtatshme të cilat do të ndikojnë në përfshirjen e tyre në jetën kulturore, ekonomike – sociale dhe politike.
Kjo marrëveshje, bashkë-financohet nga MSH dhe MPMS, ndërsa implementohet nga OJQ “ HANDIKOS”. Realizimi i këtij projekti, do të bëhet në Komunën e Prishtinës, ndërsa përfitues do të jenë fëmijët dhe të rriturit me aftësi të kufizuara, nga e gjithë Kosova. Projekti përfshin hapjen e punëtorisë së parë në Kosovë për prodhimin, montimin dhe riparimin e karrocave në bazë të specifikave dhe të nevojave të përdoruesve të karrocave të cilat do kryhen për periudhën kohore të zbatimit nga 15.09.2016 deri me 31.12.2016.