Organizuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe me mbështetjen e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, sot në Prishtinë po mbahet takimi i fund-vitit i Grupit punues për vizitat në shtëpi për kujdesin për nëna dhe fëmijë.
Qëllimi i këtij takimi ishte prezantimi i të arriturave gjatë vitit 2016, cilat kanë qenë sfidat dhe mësimet, përvojat e profesionistëve gjatë zbatimit të vizitave dhe ndarja e mirënjohjeve.
Në emër të Ministrit të Shëndetësisë, Imet Rrahmani, të pranishmit në takim i ka përshëndetur këshilltari i tij Gëzim Kokollari, i cili ka shprehur përkushtimin e Ministrisë së Shëndetësisë për të mbështetur vizitat shtëpiake për kujdesin për nënat dhe fëmijët si një instrument i mirë për të fuqizuar shërbimet shëndetësor për këtë kategori dhe për të arritur me shërbime shëndetësore edhe në zonat zonat më të largëta.
Ai falënderoi Zyrën e UNICEF-it në Kosovë dhe Grupin punues që gjatë këtij viti punoi në një partneritet të ngushtë edhe me autoritetet komunale shëndetësore dhe profesionistët shëndetësor, në realizimin e këtyre vizitave që përmes tyre të sigurohen edhe informacione të dobishme për statusin shëndetësor të nënave dhe fëmijëve në Kosovë.
“Ministria e Shëndetësisë është duke i kushtuar kujdes të veçantë gjatë këtij mandati Kujdesit Parësor Shëndetësor, duke ndihmuar fuqizimin e këtij shërbimi që konsiderohet vija e parë e frontit në parandalimin e shumë sëmundjeve dhe njëherësh edhe shtyllë e sistemit shëndetësor në vend”, tha ai duke shtuar se MSh edhe në të ardhmen ta mbështes projektin e vizitave në shtëpi për kujdesin për nënat dhe fëmijët, ndërsa rezultatet e tyre, do të jenë një dëshmi evidente, që do t’i ndihmojë Ministrisë, që bashkë me partnerët e tjerë të bëjë intervenimet e duhura, me qëllim që projekti të shtrihet në çdo pjesë të vendit dhe të arrihet që me shërbime shëndetësore të mbulohet secila nënë dhe fëmijë në Kosovë.
Në emër të Zyrës së UNICEF_it në Kosovë, dr. Agron Gashi, i ka dhënë mbështetje këtij projekti dhe ka shprehur gatishmërinë e UNICEF-it që të ndihmojnë Kujdesin Parësor Shëndetësor në avancimin e shërbimeve shëndetësore për nënat dhe fëmijat dhe mbulimin me shërbim shëndetësor të kësaj kategorie.
Në takim është bërë prezantimi i rezultateve nga vizitat në shtëpi për komunat Fushë Kosovë, Ferizaj, Gjakovë, Dragash, Gjilan dhe Mitrovicë.
Pjesëmarrësit në takim kanë treguar edhe për përvojat dhe mësimet e nxjerra nga këto vizita.