Ministria e Punëve të Brendshme ka reaguar ndaj EULEX pas arrestimit të 11 pjestarëve të Policisë së Kosovës. MPB, madje as nuk është njoftuar zyrtarisht për këtë çështje.
Megjithatë MPB nëpërmes një komunikate për media, shprehet se nuk dëshiron të interferoj në punën dhe pavarësinë e institucioneve të gjyqësorit, vlerëson se përgjegjësia në rastin në fjalë është individuale në rast së ka fakte, por assesi përgjegjësia nuk mund t’i atribuohet tërë grupit që ka qenë në detyrë.
“Pa vënë në pikëpyetje ekspertizën dhe profesionalizmin e hetuesve të EULEX-it, Ministria e Punëve të Brendshme vlerëson se mosbesimi i treguar ndaj Inspektoratit të Policisë së Kosovës dhe marrja e rastit nga EULEX-i, pa përfillur IPK-në si institucion i mandatuar për të hetuar të gjitha rastet ku dyshohet se pjesëtarët e PK-së janë të përfshirë në vepra penale, ka zbehur kredibilitetin e gjithë-përfshirjes institucionale të të gjithë mekanizmave të thirrur për hetimin e rasteve në situata të tilla si kjo e fundit”, thuhet në komunikatën e MPB-së, transmeton RTK.
Ministria e Punëve të Brendshme vlerëson se drejtësia duhet të jetë e pavarur, e paanshme dhe profesionale, dhe të mos ndikohet nga askush.
MPB, si institucion përgjegjës për zbatim të ligjit, mbështet përpjekjet e misionit të EULEX-it në forcimin e rendit dhe ligjit në Kosovë.
“Por në të njëjtën kohë, do të kujdeset për ruajtjen e imazhit të Policisë së Kosovës si institucion me besimin më të lartë të qytetarëve të Kosovës dhe sidomos do të kujdeset për ngritjen dhe avancimin e mëtutjeshëm të Njësisë Special Operative si njësia me vitale në Policinë e Kosovës e cila ka dëshmuar profesionalizmin e saj përgjatë këtyre viteve duke menaxhuar shume situata sfiduese në mbrojtje të rendit dhe ligjit”, thuhet në komunikatën për media lëshuar nga MPB.