Ministria e Punëve të Brendshme përshëndetë lajmin se Republika e Kosovës ka përmbushur të gjitha kriteret e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Tashmë pritet që propozimi i Komisionit Evropian për heqjen e vizave të miratohet së shpejti nga Këshilli dhe Parlamenti Evropian.
Falënderojmë zyrtarët e MPB-së dhe agjencive të saj, që në mënyrë profesionale, të palodhshme dhe të përkushtuar janë angazhuar në vazhdimësi për t’i përmbushur 70 nga 95 kriteret e udhërrëfyesit për liberalizim të vizave për të cilat MPB ishte përgjegjëse.
Bashkëpunimi me institucionet tjera të Qeverisë së Kosovës, partnerët ndërkombëtarë dhe me qytetarët gjatë këtij procesi, ka luajtur rol kyç dhe do kjo do të vazhdojë edhe më tej me qëllim të përfundimit me sukses të këtij procesi jetik për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës.
Ministria e Punëve të Brendshme do të mbetet e përkushtuar në menaxhimin efikas të procesit pas liberalizimit të vizave dhe siguron të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, se do të njoftohen me kohë rreth të gjitha të drejtave dhe obligimeve që dalin nga lëvizja e lirë në zonën Schengen.