Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka apeluar për kujdes, pasi sot temperaturat do të jenë deri në 35 gradë celsius dhe konsiderohet si ditë që paraqet rrezik për të gjitha moshat.
Sipas IHMK-së, dita e sotme do të jetë e nxehtë dhe me vapë, pasi shkalla e avullimeve ka arritur kulmin dhe njëkohësisht indeksi UV është në nivelin e lartë që paraqet rrezik për të gjitha moshat posaçërisht për ata që kanë probleme me rrugët e frymëmarrjes, tension të lartë dhe problemet me zemër.
“Të respektohen me përpikëri këshillat e mjekut dhe të mos ekspozohemi rrezeve direkt të diellit nga ora 9 deri në orën 17:00. Edhe shtypja atmosferike është e ulët nën vlerat e normales për 2-3 milibar. Gjithashtu është mirë të bartmi rroba me ngjyrë të hapur (të bardha) dhe mundësisht ata që e kanë të domosdoshme lëvizjen në orët e lartë cekura të bartin ombrella me ngjyrë të hapura, jo ngjyrë të zezë”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.
Të dielën priten kushte tjera meteorologjike, ulje të temperaturave dhe vende-vende reshje shiu.