Përcaktimi i grupeve parlamentare në përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës pritet të jetë çështja kryesore në fazën e konstituimit të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 8 qershorit.
Tani kur rezultati i zgjedhjeve është certifikuar, pritet që të hënën dhe të martën të përcaktohen disa hapa vendimtarë që do të çonin deri te thirrja e seancës së parë konstitutive, e cila, sipas afatit kushtetues, duhet thirrur brenda 30 ditëve pas certifikimit, shkruan Tribuna.
Por, çështja më kontestuese mbetet ajo e përcaktimit të grupeve parlamentare.
Nëse gjatë përgatitjes së seancës së parë grupet parlamentare do të përcaktoheshin sipas rezultatit të zgjedhjeve të 8 qershorit, atëherë pozita e kryetarit të Kuvendit do t`i takonte PDK-së si fituese e zgjedhjeve.
Në këtë rast, PDK do ta fitonte këtë të drejtë, por nuk besohet se do të kishte vota për ta fituar këtë post sepse për ta zgjedhur kryetarin duhen 61 sosh.
Kurse, në rastin e dytë, nëse do të njihej si grup parlamentar bashkimi paszgjedhor i LDK-së, AAK-së dhe Nisma-s, atëherë ai do të përbënte shumicën dhe do t’i takonte e drejta e kandidimit të kryetarit.