Thirrja për zgjedhje të reja është mashtrim, është tentim për ta mbajt elektoratin e tyre aktiv dhe larg temave me rëndësi. S’ka zgjidhje me zgjedhje të njëpasnjëshme, kjo është një praktikë e keqe dhe përveç që e rëndon buxhetin e shtetit, e ruan tharmin e krizave dhe krijon presedan të rrezikshëm për të ardhmen.
Shkruan: Ardian AZEMI
Nuk mund të organizojmë zgjedhje sa herë që opozita është e pakënaqur me fuqinë politike që sovrani i ka dhënë. Përveç që nuk e kanë përnjëmend, po dalin edhe qesharak me këto deklarata të përditshme për zgjedhje të parakohshme.
Kërkojnë me u ratifikua marrëveshja për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, dhe tani me shkua në zgjedhje. Pse nuk kërkohet e kundërta; po shkojmë në zgjedhje dhe tani e mbyllim temën e demarkacionit..?!
Nuk është koha për zgjedhje të reja, është koha për reflektim nga partitë opozitare dhe koha për me i kapërcye inatet personale ndërmjet individësh a grupesh.
Qytetari ynë nuk e meriton të paguaj faturën e inateve politike. Kosova nuk e meriton të mbahet peng e pakënaqësive dhe qëndrimeve të kundërta për tema të caktuara. Rinia jonë ka nevojë urgjente për lëvizje të lirë, për shkollim jashtë vendit, për njohje me kultura e tradita të ndryshme nëpër vende të zhvilluara e me traditë.
Thjeshtë, rinia jonë ka nevojë për ajër të pastër! Për një gjë të jemi të sigurt, demarkacioni me Malin e Zi, nuk është problem i madh, meqë gabimet eventuale do të rishikohen sepse kemi edhe dakordim mes dy Presidentëve, por jemi edhe shtete mike dhe gëzojmë bashkëpunim dhe raporte të shkëlqyera.
Temat problematike dhe vështirë të kapërcyeshme ende s’kanë ardhur. Do të vijnë shumë shpejt dhe si të tilla kërkojnë unifikim të partive politike shqiptare, pozitë e opozitë.
Dialogu me Serbinë, shënjimi i kufirit me këtë shtet duke i njohur problemet që kemi pasur dhe vazhdojmë ti kemi, transformimi i FSK-s në Ushtri, bashkësia e komunave me shumicë serbe, janë tema që përveç që kërkojnë unitet, edhe “takat” me iu bë ballë.
Pra, duhet botërisht që sa më shumë të rritet ndikimi rus në Ballkan, aq më shumë rritet ndikimi serb në Kosovë, edhe atë përmes Listës Serbe e përfaqësuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Çdo temë me rëndësi për Kosovën, duhet të gjejë mbështetje të pa rezervë nga partitë shqiptare në Kuvend. Nuk minimizohet roli dhe ndikimi i Beogradit në Kosovë duke thelluar mosmarrëveshjet mes vete partitë shqiptare.
Ky ndikim zbehet duke bashkëpunuar për tema të mëdha, dhe duke i bashkërenduar objektivat për temat e ardhshme. Harroni zgjedhjet dhe bashkëpunoni, sepse është nevojë urgjente për Kosovën dhe qytetarët e saj ratifikimi i demarkacionit. Këto tema nuk mundet me i qua as LDK e as VV. Madje, asnjë parti politike në Kosovë nuk është e gatshme për zgjedhje, sepse kanë probleme të theksuara brenda sojit dhe thirrja për zgjedhje mbetet veç për konsum të brendshëm.