Nënkryetarja e Komunës së Gjilanit, Leonora Morina Bunjaku, thotë se është e pakuptimtë dhe e pabazuar që përmirësimi i kujdesit shëndetësor të paraqitet si skandal.
Duke iu referuar kritikave të opozitës, ajo thekson se shëndetësia është prioritet, jo politikë. Punësimi i mjekëve dhe infermierëve është një ndërhyrje e domosdoshme për përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët e Gjilanit.
“Kjo përpjekje për të manipuluar opinionin publik përmes kritikave është një sulm i pajustifikueshëm ndaj një iniciative që i shërben shëndetit publik”, tha Morina Bunjaku.
Nënkryetarja e komunës, shton se shtimi i personelit mjekësor është më se i nevojshëm për të adresuar sfidat e mëdha në sistemin shëndetësor, që janë lënë pas dore për vite me radhë.
Sipas saj përmirësimi i shërbimeve shëndetësore ka qenë një nevojë urgjente për qytetarët tanë dhe kryetari i Komunës së Gjilanit është i përkushtuar që me të gjitha kapacitetet e mundshme të investojë në këtë sektor jetik.
“Ndryshe nga qeverisjet e mëparshme, të cilat nuk investuan në shëndetësi publike, sepse kishin mundësinë e trajtimit privat, kjo qeverisje fokusohet në përmirësimin e shërbimeve për të gjithë qytetarët, pa dallim”, tha Morina Bunjaku.
Nënkryetarja e Gjilanit, thekson se është absurde të akuzohet një iniciativë që garanton më shumë kujdes shëndetësor për të gjithë qytetarët, në një kohë kur shumë të diplomuar në mjekësi kanë mbetur pa punë.
Ajo tha se në vend të kritikave të pabazuara, duhet mbështetur përpjekjet për të ndërtuar një sistem shëndetësor më të fuqishëm dhe më të drejtë për të gjithë. /2LONLINE/