Me rastin e 1 Qershorit – Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, nënkryetarja e Komunës së Gjilanit Leonora Morina Bunjaku dhe udhëheqësi i sektorit për të Drejtat e Njeriut dhe Komunitete Ardian Foniqi, bashkêbiseduan me anëtarët e Asamblesë së Fëmijëve.
“Jemi mbledhur për të festuar një ditë shumë të veçantë – Ditën e Fëmijëve, 1 Qershori. Kjo ditë na kujton se fëmijët janë thesari më i çmuar i shoqërisë sonë dhe se mbi ta mbështetet e ardhmja jonë”, tha nënkryetarja.
Më tej ajo shtoi se fëmijët janë burimi ynë i pafund i gëzimit, shpresës dhe frymëzimit. Ëndrrat e tyre, buzëqeshjet e tyre dhe energjia e tyre janë forca që na shtyjnë përpara për të ndërtuar një botë më të mirë. Sot, më shumë se kurrë, duhet të kujtojmë se detyra jonë është të krijojmë një mjedis ku ata mund të zhvillohen plotësisht, të mësojnë dhe të rriten të sigurt dhe të lumtur.
“Jam krenare për përpjekjet që kemi bërë për të përmirësuar jetën e fëmijëve tanë, duke investuar në çerdhe, shkolla, parqe dhe hapësira ku ata mund të luajnë dhe të mësojnë. Por, gjithmonë ka më shumë për të bërë. Është detyra jonë e përbashkët të sigurohemi që çdo fëmijë të ketë mundësinë të realizojë potencialin e tij, pavarësisht sfidave me të cilat mund të përballet”, tha Morina Bunjaku.
Nënkryetara e Gjilanit, theksoi se kjo ditë është gjithashtu një thirrje për të gjithë ne – prindërit, mësuesit, drejtuesit dhe qytetarët – për të bashkuar forcat dhe për të krijuar një shoqëri më të drejtë dhe të barabartë. Një shoqëri ku çdo fëmijë ndihet i vlerësuar, i respektuar dhe i mbrojtur.
‘Në këtë Ditë Ndërkombëtare të Fëmijëve, le të përkushtohemi të gjithë për të punuar së bashku, për të ndërtuar një të ardhme ku fëmijët tanë mund të rriten me dinjitet dhe shpresë. Le të festojmë këtë ditë me aktivitete që sjellin buzëqeshje në fytyrat e tyre dhe le t’u tregojmë fëmijëve tanë se ata janë në qendër të vëmendjes dhe dashurisë sonë” , tha nënkryetarja Morina Bunjaku.
Ajo uroi fëmijët për festën, duke thênë: Le ta bëjmë këtë ditë të paharrueshme për fëmijët tanë dhe t’u japim atyre një arsye më shumë për të besuar në një të ardhme të ndritur.
Ardian Foniqi, udhëheqës i Njësisë për të Drejta të Njeriut dhe Komunitete, i uroi fëmijëve- Ditën 1 Qershori.
Ai tha se pos që të drejtat e fëmijëve garantohen me konventa ndërkombëtare dhe legjislacionin në fuqi, kryetari i Komunës është zotuar t’ju mbështesë në realizimin e aktiviteteve dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.
“Ju jeni e ardhmja dhe ne si institucione e kemi për obligim të ju përkrahim sa herë që të jetë e nevojshme”, tha Foniqi.
Dren Bajrami, nga Asambleja e Fëmijëvve uroi fëmijët për festën.
“Kjo ditë është një mundësi më e mirë. Fëmijët janë e ardhmja dhe duhet të rriten në mënyrë të sigurt. Secli fëmijë meriton të rritet dinjitetshëm”, tha ai. /2LONLINE/