Shumë monopoleve, së fundmi, po u vie fundi, gjithkund dhe gjithkah. Në arsim dhe të drejtën e arsimimit, në nepotizëm dhe të drejtën mbi punësimin, në ndërtim dhe të drejtën mbi pronësinë, në zhvillim ekonomik e të drejtën mbi prodhimtarinë, në diplomaci e përfaqësim, Monopoleve që janë mohim i të drejtës mbi të drejtën elementare për jetesë të dinjitetshme dhe cungim i shpresës për të ardhmen, të një kategorie të caktuar të popullsisë.
Nga: Nehat OSMANI
- Të natyrës së kësollojshme të monopoleve po u kundërvihemi me drejtësi e ligjshmëri. Kthimin në normalitet e realitet me guxim qytetar e vendosmëri.
- Ndërsa të natyrës virtuale, si monopoleve të mashtrimit e gënjeshtrës do u kundërvihemi me zhveshjen e mashtrimit e dekonspirimin e gënjeshtrës. Edhe në Sport e Kulturë po i vije fundi.
Më 16 Shkurt 2020 ishte derbi i shtatë radhazi, më i madhi mbarëkombëtar, në mes dy klubeve tona të mëdha “Dritës” e “Gjilanit” që po zhvillohej në kushte të jashtëzakonshme dhe me siguri minimale për tifozët e qytetarët tanë. Madje njërin nga derbit e apostrofuar u detyruam ta bartnim në Prishtinë.
E mbani mend, më 07 Prill 2019, në vend se në “Kryeqytetin e Futbollit” të sillnim futbolldashësit e kryeqytetit dhe tërë Kosovës, ne bartëm futbollistët, tifozët dhe qytetarët e “kryeqytetit të futbollit” në kryeqytetin e Kosovës. Në vend se kryeqyteti i futbollit mikpritës të shndërrohej në kryeqytet vizitorësh nga mbarë Kosova, kryeqyteti i Kosovës u shndërrua në kryeqytet të futbollit.
E mbani mend, më 10 Nëntor 2017, nën ethet e fushatës elektorale ishin 18 muaj të premtuara për përfundimin e punimeve të Lutfiut me bekimin edhe të kryetarit të atëhershëm të ndjerë të FFK-së F.Vokrri e legjendës futbollistike tani “Nderit të qytetit” F.Sherifi, që tashmë po bëhen 3 vjet e do bëhen 4 a 5 deri sa t’dojë kryetari vet.
I mbani mend zotimet gjithashtu 18-muajshe dhe inaugurimet e shumëhershme të fillimit të punëve të palestrës së sporteve në Zhegër por asnjëherë edhe të përfundimit të punëve që tashmë as në horizont nuk duken.
Mjerisht, në krye të këtij institucioni kaq të rëndësishëm komunal, kemi një zgjedhje të Lutfiut që vështirë e ka të mishërohet me botën e sportistit dhe të sportit në përgjithësi e lere më të zgjidh problemet e tyre e avancoj zhvillimin e tij.
Përzgjedhja e kryetarit për udhëheqësen e këtij dikasteri tejet të rëndësishëm dëshmon edhe më bindshëm mosinteresimin dhe joseriozitetin e tij ndaj sportistëve si pjesës më vitale të popullatës – rinisë.
Prandaj nga drejtoria e DKRS nuk e kuptojnë brengosjen tonë që KH ”Drita”- meshkujt janë para shuarjes në mesin e të cilëve kishte edhe reprezentues shtetëror, prandaj ata nuk e bashkëndjejnë brengosjen tonë që KH “Drita” – femrat, 7 herë kampion I Kosovës për shkak të kushteve elementare nuk udhëtojnë në ndeshjet e fundit kampionale, në mesin e të cilave 6-7 nga këto vajza, tashmë përfaqësojnë klube tjera anembanë Kosovës.
Prandaj palestra e sporteve ne Gjilan edhe përkundër kontraktimit të kompanive dhe mjeteve të ndara për mirëmbajtjen e saj, nuk ka kushte elementare për zhvillimin e aktiviteteve dhe seancave stërvitore e garuese të qindra sportistëve, të shumë kategorive të sporteve, si individuale ashtu edhe ekipore, por imagjinoni, janë sportistët ata që parapërgatisin fushën e në anën tjetër nuk mund të shfrytëzojnë tualetet e zhveshtorët për shkak të johigjienës e papastërtisë.
Në mënyrë që të përmbyllim atë që në fillim pretenduam e qytetarët çdo ditë e më shumë të qartë e kanë, ndërsa ne përmes shembujve e përditshmërisë ilustrojmë, një gjë është e sigurt:
Monopolit të manipulimeve e premtimeve boshe po i vie fundi ashtu sikur durimit të qytetarëve u ka ardh qëmoti fundi. Sikur është e sigurtë se as kryetari më nuk e ka monopolin e të drejtës mbi klubet futbollistike, as të drejtën mbi tifozeritë e dy klubeve, as të drejtën mbi qytetarët e Gjilanit, as të drejtën e mashtrimit të vazhdueshëm mbi ate se kur dy klubet tona bashkë me tifozeritë më të flakta në ballkan dhe me qytetarët më të durueshëm në Kosovë do të zhvillojnë ndeshjet e tyre në tribunat e renovuara të stadiumit.
Lufta për pushtet nuk duhet t’i sherbej Lutfiut si pretekst për të abuzuar me ndjenjat e njerëzve të pafat dhe grupeve të interesit të pashpresë. Fitohet përshtypja sikur kjo gjendje vendqëndrimi, pushtetarëve komunal u konvenon, ashtuqë punët të zgjasin e ngecin pafund në mënyrë që edhe në zgjedhjet e ardhshme premtim elektoral edhe njëherë ta kenë.
- Ka mundësi që me premtimin për një stadium ndërkombëtar i keni fituar zgjedhjet e kaluara, sikur është mëse e sigurt se me dështimin e përmbushjes së këtij mashtrimi e shumë të tjerëve do t’i humbni zgjedhjet e ardhshme.
- Është koha e punës dhe veprimit, është koha e ndryshimeve rapide e kohën e kemi tejet të çmuar.
Jetëgjatësia e një sportisti është e shkurtër dhe çdo minutë i humbur i tyre është një sukses i humbur, një karrierë e humbur, është një jetë e tretur kot.