Sabit Rrustemi
(Rreth librit “Poetika e prozës së Nasi Lerës” të Mikel Gojanit, botoi Fast Print, Tiranë 2022)
Shkrimtari ynë, Nasi Lera, i cili jeton e vepron në Tiranë, me vendlindje Korçën (1944), që prej më se katër dekadash, njihet e lexohet në Kosovë.
Ai hyn në mesin e emrave të paktë që nga ana e përtej Drinit, pati fatin t’i botohet ndonjë vepër në Kosovë, shkaku i rrethanave të kohës. Mirëpo, dekadat e fundit të shekullit të kaluar, iu hapën udhë.
Të rikujtojmë me këtë rast se me fillimin e viteve të shtatëdhjeta të shekullit të shkuar, në Prishtinë botohen dhe vlerësohen lart veprat e Ismail Kadaresë, Dritëro Agollit, Fatos Arapit, Dhimitër Xhuvanit, Teodor Laços, e këtu hyjnë edhe tregimet e Nasi Lerës, pastaj poezia e Agim Shehut, Dhori Qiriazit, Frederik Rreshpjes dhe më pas edhe e Xhevahir Spahiut, Visar Zhitit etj.
Rënia e sistemeve moniste, si këndej e si andej kufirit, edhe pse me vonesë, hapën mundësinë që letërsinë tona( ë ) ta shohim si një dhe të pandarë, pavarësisht se veprat botohen në Tiranë ose Prishtinë, në Sarandë ose në Gjilan.
Në këtë rrjedhë, lexuesi në Kosovë Nasi Lerën e njeh me dy vepra të botuara në Prishtinë qysh gjatë viteve të tetëdhjeta: përmbledhjen e zgjedhur me tregime DITA E TRETË dhe romanin TË JETOSH KOHËN.
Këto dy vepra, po dhe të tjerat të hartuara nga Nasi Lera, viteve të më pasme, sidomos nga viti 1990 e këndej, më lirshëm qarkulluan në Kosovë dhe, Mikel Gojani, një autor i palodhur i poezisë, i prozës dhe i publicistikës nga krahina e Dukagjinit, e pati më të lehtë ta sforcojë mendimin dhe vlerësimin, madje edhe ta përplotësojë vështrimin për veprën thuaja të tërësishme letrare të Nasi Lerës, qofshin ato tregime ose romane.
Në vitin 2017, Mikel Gojani, që duket si natyrë e heshtur në pamje, solli librin me vështrime kritike, POETIKA E PROZËS SË NASI LERËS, si një përpjekje për ta vlerësuar e shpërfaqur në publik një thesar të bollshëm të krijimtarisë artistike të këtij autori, brenda një periudhe kohore prej pesëdhjetë e sa vitesh. Përkatësisht nga viti 1968 e këndej.
Libri i Mikelit, si i tillë jo vetëm demantoi mendimin e mungesës së kritikës letrare për librin e mirë në ato vite, por me shprushjet e tij nëpër disa nga veprat me tregime po edhe në disa nga romanet e Nasi Lerës, vë në pah vlerat e mirëfillta, të cilat vetvetiu flasin se pse Nasi Lera është kaq i lexueshëm dhe i vlerësuar, si andej po edhe këndej Drinit. Po them Drinit, si një kufi natyrorë që i ndante dy pjesët e një tërësie.
Pa kaluar ende pesë vite, Mikel Gojani e bëri botimin e dytë të librit, me një serë ndryshimesh e plotësimesh, ngase në ndërkohë, ajo që e kishte theksuar që në botimin e parë, iu tumir, nga lexuesi, nga kritika letrare si dhe nga vlerësimet e mirëfillta profesionale të institucioneve tona, ku, vlerat artistike dhe prurjet e reja në letërsinë shqipe nga ana e Nasi Lerës s’kishin se si mos të shpërblehen.
Shtesat e reja në botimin e dytë bënë që libri POETIKA E PROZËS SË NASI LERËS të dalë dukshëm më i plotë se botimi i parë.
POETIKA E PROZËS SË NASI LERËS hapet me një vlerësim të hershëm dhe tejet largpamës të Anton Pashkut, sepse ishte shteg i shtruar për kritikën letrare dhe përgjithësisht për kritikët tanë të letërsisë që të drejtoheshin përpos tre-katër emrave, edhe nga ai që po vinte e po hynte në letërsinë tonë, me një talent të jashtëzakonshëm krijues, me një qetësi e zell të madh përkushtimi, duke dëshmuar përmes imagjinatës së bujshme, një botë e shpirt human po edhe një anë fisnike e njerëzore në krijimtari.
Mbase Anton Pashku që në vitin 1980, kur edhe u botua në Prishtinë përmbledhja me tregime DITA E TRETË, vuri në dukje zëshëm me mendimin e tij të rëndësishëm:
“ Veprimtaria letrare e Nasi Lerës zë fill aty nga viti 1968. Menjëherë ra në sy talenti i madh, synimi për t’u çliruar sa më shumë nga skematizmi dhe konvencionalizmi, ngulmimi i tij që fjalia të jetë sa më e skalitur, sa më koncize, sa më e rrjedhshme, aspak emfatike. Edhe pse konciz, bie në sy përpjekja për të fiksuar jo pamjet e jashtme, por valimet e tingujve të klaviaturës së botës së brendshme të personazheve, të cilët në tregimet e Lerës, në shumicën e rasteve, janë të zhveshur nga pompoziteti, frazat e thata bombastike dhe fluromat e ekzaltimeve. Kështu tregimet e këtij shkrimtari, në radhë të parë, duken sikur janë të ftohta, por kjo ftohtësi është krejtësisht e rreme: përbrenda tyre kemi gjallërinë dhe ngrohtësinë jetësore në një shkallë që u shkon për shtat gjendjeve të personazheve – shkallëzimi dhe shkrirjet e gjendjeve në njëra – tjetrën janë gati të pahetueshme, shumë të natyrshme, pa sforcime e aspak artificiale, dhe kjo bën që tregimet e tij të jenë tërësi kompakte, thuajse të shkëputura nga vetë jetë”.
Ky vlerësim i Anton Pashkut, siç e theksova, mbeti të thuash udhërrëfyes për të gjithë ata që iu rrekën leximit dhe vlerësimit të krijimtarisë letrare të Nasi Lerës, qofshin ato tregime ose romane.
Emra të njohur si Ali Aliu, Rudolf Marku, Anton Nikë Berisha, Visar Zhiti, Ylli Polovina, Fatmira Nikolla, Josif papagjoni, Shyqri Galica, Prend Buzhala, Jorgo Bllacia e Agim Baci, që janë pjesë e këtij libri, përmes vështrimeve kritike, krahas atyre të Mikel Gojanit, vetëm sa e përforcojnë dhe pasurojnë me vrojtimet dhe thellimet e tyre studimore atë që e kishte vërejtur Pashku, po që, nga vepra në vepër po e dëshmonte dhe vetë Nasi Lera.
Mendoj se autori i këtij libri, Mikel Gojani, ka zgjedhur mënyrën më të mirë për t’i përligjur konstatimet nga një studim i gjatë i tij për krijimtarinë në prozë të Nasi Lerës, kur shkruan: “Nasi Lera shquhet si tregimtar dhe romansier. Ka dëshmuar prirjet për të mos i ndjekur kallëpet, skematizmin dhe konsensionalizmin e realizmit socialist. Këtë prirje ka arritur ta zhvillojë dhe ta çojë më tutje gjatë viteve 90-ta ( e këndej ), duke pushtuar sfera të reja jo vetëm tematike, por edhe të mënyrës poetike”.
Konstatime të ngjashme, madje herë –herë dhe më të lartësuara gjejmë dhe nga emrat e mësipërm të kritikës sonë letrare që i përmenda si pjesë përbërëse e këtij libri, po larg kësaj nuk është as bie fjala, njëri nga studiuesit më të shquar të ditëve të sotme, prof. dr. Anton Nikë Berisha, kur shkruan për tri romanet e Lerës “Ana Zh” (2004), “Të gjallë dhe të vdekur” (2013) dhe “Kishim një ëndërr” (2016): “Këto tri krijesa letrare dëshmojnë një rrafsh të lartësuar të vlerave poetike, përkatësisht bukurinë e të shprehurit përmes gjuhës, përmes fjalës; jo vetëm për kulmin e artit romanesk të këtij shkrimtari tonë të rëndësishëm, po dhe pjekurinë dhe artin e madh të romanit tonë në përgjithësi. Përkundër faktit se secili prej këtyre romaneve ngërthen vlera poetike të veçanta, ata përligjin një botë poetike të tërësishme, një sistem të shprehur sa të pasur aq dhe të mëvetësishëm”.
I veçova këto mendime që janë dhe pjesë e këtij libri, ani se, konstatime e vlerësime meritore dhe po kaq të lartësuara i gjejmë dhe te kritikët e tjerë letrarë që e shtjellojnë veprën letrare të Nasi Lerës, për të dëshmuar se zgjedhja e Mikel Gojanit për ta trajtuar këtë krijimtari kaq të pasur, është zgjedhja e duhur dhe e qëlluar, sidomos për kohën kur letërsia jonë po kalon çaste të vështira.
Vepra me studime dhe vështrime kritike POETIKA E PROZËS SË NASI LERËS, pos shumë shembujve nga krijimtaria e këtij autori që e përforcojnë titullin e librit, si pjesë përbërëse ka edhe pjesën e bashkëbisedimeve me autorin, nga ana e shumë mediave të shkruara dhe elektronike, ku autorë të ndryshëm, duke biseduar me shkrimtarin Lera, i mundësojnë lexuesit të njohin botën e tij krijuese e njerëzore, e cila është një pasuri në vete që shpërfaq dhe më shumë madhështinë e këtij krijuesi, duke iu shmangur vlerësimeve për vetveten e duke i rrëfyer mënyrat e shkrimit dhe dashurinë e pakufishme për librin, për botën e artit dhe për atë që e kërkojmë dhe ndeshim në veprën e tij: njerëzoren në art.
Me një fjalë, brenda kopertinave të këtij libri monografik të Mikel Gojanit janë shpërfaqur vlerat e mirëfillta të krijimtarisë letrare të shkrimtarit Nasi Lera, e kjo, nuk është pak …
(Zhegër, 23 shtator 2022)