/2L ONLINE/ – Prezantimi i raporti të fundit për monitorimin e Kuvendit Komunal të Gjilanit, ishte aktiviteti i fundit i Isa Shefkiut në petkun e përfaqësuesit të Shoqërisë Civile, pasi ai nga sot ka veshur petkun politik duke u bërë pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje.
Shefkiu ishte pjesë e OJQ Forumi Demokratik Qytetar “Anamorava”, dhe për pesë vite me radhë ka monitoruar punën e Kuvendit Komunal për të publikuar pastaj edhe raporte mbi këtë angazhim të tij dhe OJQ-së qe e drejtonte, ndërsa nga tani e tutje mund ta shohim me deklarime politike, si pjesë e një subjekti politik.
Shefkiu tha se iu është bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje pasi vlerëson se është i vetmi subjekt kredibil që po rritet në vazhdimësi dhe i cili është në nivel të detyrës që u pa edhe me rastin e kundërshtimit të “Zajednicës” dhe të “Demarkacionit’.
Ndërsa duke folur për punën e deritanishme si monitorues i Kuvendit, ai tha se nga ai prizëm ka parë se organet komunale nuk janë në nivel të detyrës dhe se pozita është në nivel të ultë, jo e gatshme për t’u ballafaquar me probleme të qytetarëve.
Ndërkohë, që Shefkiu tha se ka qenë i befasuar për të mirë me performancën e këshilltarëve të Vetëvendosjes në Kuvendit Komunal të Gjilanit, të cilët kishin instaluar një frymë të re të veprimit duke luajtur rolin opozitar, por duke ofruar përherë rekomandime për tejkalime të çështjeve përkatëse dhe në këtë drejtim përmendi edhe disa raste konkrete, ku këshilltarë të Vetëvendosjes ishin konkret dhe ofronin alternativa, rekomandime për të dal nga një situatë.
Shefkiu tha tutje se kjo qeverisje në krye me kryetarin Lutfi Haziri, nuk është profesionale, ngatërrohen kompetencat e Kuvendit me ekzekutivin ndërsa ka kritikuar edhe të parin e Komunës që nuk po është pjesë e seancave të kuvendit apo të komiteteve përkatëse, apo edhe kur është, rri shumë pak, duke u treguar joserioz ndaj problemeve, halleve dhe interesit të qytetarëve të Gjilanit.
Përndryshe, ai tha se do ta jep kontributin e tij në Vetëvendosje dhe pret bashkëpunim edhe me të tjerët për hirë të interesit të qytetarëve, jo vetëm të Gjilanit, por edhe të krejt vendit.
Atij, mirëseardhje i ka dëshiruar deputeti Ismajl Kurteshi i cili ka thënë se po vazhdojnë për çdo ditë prurjet e reja në këtë Lëvizje, të intelektualëve, figurave të rëndësishme, por edhe të të gjithë atyre që nuk po e durojnë këtë keqqeverisje në të dyja nivelet . /2L ONLINE/