Sekretari organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje!, Dardan Molliqaj, ka ripërsëritur qëndrimin, se pa marrëveshje me shkrim VV nuk mund ta mbështetë koalicionin LDK-AAK-Nisma për formimin e qeverisë.
Në një intervistë për “Epokën e re”, Molliqaj ka deklaruar se kjo marrëveshje mund të arrihet në rast se koalicioni paszgjedhor pajtohet që procesi i dialogut të udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje!
Në këtë kontekst, Molliqaj ka thënë se është e domosdoshme që procesi i dialogut të udhëhiqet nga kjo lëvizje.
Edhe pse kanë pasur ofertë nga PDK-ja për bashkëqeverisje, Molliqaj ka thënë se aktualisht kjo parti është e papranueshme për Vetëvendosje!-n.
Ndërkaq duke iu referuar deklaratave të zyrtarëve të partive të koalicionit LDK-AAK-Nisma, se i kanë votat e 83 deputetëve në Kuvend, Molliqaj ka thënë të kundërtën.
Sipas Molliqajt, ky koalicion asnjëherë nuk i ka pasur 83 vota.
“Ata i kanë 83 vota nëse janë duke llogaritur që do të kenë marrëveshje me Vetëvendosje!-n. Pa marrëveshje me shkrim nuk i kanë, siç nuk i kanë pasur në seancën e 17 korrikut, ku deputetët e Vetëvendosje!-s nuk e votuan kandidatin për kryetar të Kuvendit”, ka thënë Molliqaj.
Sekretari organizativ i Vetëvendosje!-s ka folur edhe për tejkalimin e ngërçit politik.
Si opsion të tejkalimit të kësaj situate, Molliqaj nuk e ka përjashtuar as mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të reja, por ka eliminuar çfarëdo mundësie që Lëvizja Vetëvendosje! të hyjë në një listë të përbashkët zgjedhore me koalicionin LDK-AAK-Nisma