Lidhur me ndeshjen KF Kika – KF Ferizaj (0 : 0), pas raportit të Komisionit të garave, ka reaguar mjeku i skuadrës vendase, Bislim Agaj. Ai shprehet i indinjuar nga rrjedha e ngjarjeve në këtë ndeshje të Ligës së parë, ndërkohë që raportimet e mediave i vlerëson joprofesionale dhe tendencioze.
Ai thotë të jetë i indinjuar tejmase nga ajo që i ka ndodhur në ndeshjen KF Kika – KF Ferizaj (0 : 0), si dhe raportimeve në media online, por edhe raportit zyrtar të delegatit të ndeshjes, për të cilin thotë se është kontradiktor me deklaratën e tij paraprake gjatë rrjedhës së ndeshjes!
Në reagimin e tij , Bislim Agaj tregon versionin e tij për ngjarjen në tërësi.
“I kam dhënë ndihmën lojtarit të dëmtuar të skuadrës sonë, Lirian Ferati, në minutën 75-të. Trajtimi ka zgjatur më shumë se 30 sekonda. Kjo ishte arsyeja që gjyqtarit kryesor na ka detyruar të dalim jashtë fushës me pretekst se po zvarrisim rrjedhën e lojës. Në dalje e sipër më ka thënë se do të zgjasë lojën 20 minuta nëse nuk e lëshoni terrenin sa më shpejt. Pasi kemi dalë jashtë vijave të fushës e kam trajtuar lojtarin, i cili është ndier i aftë për t’u rikthyer.”
Agaj më tej sqaron se ka qëndruar së bashku me lojtarin jashtë vijave të terrenit, duke pritur sinjalizimin e gjyqtarit për rikthimin e lojtarit në lojë: “Ndonëse sipas rregullores rikthimi duhej të ndodhte pas ndërprerjes së parë, gjyqtari nuk e ka bërë një gjë të tillë, thotë ai.
Gjithnjë sipas tij, pas vonesës së paarsyeshme, ai më në fund ka vendosur të lejoj një gjë të tillë, ndërkohë që, ndonëse ndodhej jashtë vijave përkufizuese të fushës, gjyqtari iu është afruar dhe e ka urdhëruar të largohej edhe nga aty. Agaj thotë se e ka vlerësuar atë kërkesë “non sens” të llojit të vet duke shtuar se frustrimi i gjyqtarit ka kulmuar me fyerjen: “shko në rr.s.!”
“Në fillim kam hezituar të respektoj atë vendim të tij”, shprehet Agaj, duke nënvizuar se stafi i skuadrës së tij e ka lutur të largohet dhe se në largim e sipër iu është ofruar delegatit të ndeshjes, të cilit ia shpjegoi veprimin e gjyqtarit.
“Edhe vet delegati i këtij takimi është shprehur i befasuar me vendimin e gjyqtarit, për të cilin thotë t’i ketë thënë se “këto vendime të paarsyeshme po ndikojnë që ai të rishqyrtoj rolin e tij si delegat në të ardhmen e futbollit të Kosovës”, deklaron tutje Agaj.
Pas këtij akti jo të pëlqyeshëm mësohet se në pesëmbëdhjetë minutat e fundit të lojës janë ndëshkuar e përjashtuar dy lojtarë të skuadrës vendëse, derisa bëhet e ditur se ndeshja është vazhduar 13 minuta pas kohës së rregullt!
Përndryshe, duke treguar përkushtimin e tij për ta kryer në mënyrë profesionale punën e tij, mjeku i “KF Kika”, Bislim Agaj, i cili që nga viti 1995 ushtron këtë profesion në skuadër, tregon edhe për ndihmën që i ka ofruar gjyqtarit anësor të takimit në fjalë, i cili besohet të jetë qëlluar me gurë nga publiku.
Ai shpreh brengën e tij që futbolli i Kosovës është në këtë nivel të papërgjegjësisë, dhe me përplot prapaskena, përkundër dëshirës për të mos besuar se situata është e tillë, ndërsa nivelin profesional të gazetarisë dhe raportimeve me burime të mangëta i vlerëson të njëanshëm e tendencioz, për të cilat thotë se nuk i shërbejnë avancimit të sportit në përgjithësi e futbollit në veçanti.
/Xhemail Veseli/